ZKA ka gjetur shkelje serioze në programin e MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për komunitetet jo-shumicë. Ky raport konfirmon hulumtimin e Gazetës Insajderi për aferën milionëshe me shtëpitë e minoriteteve.
Gazeta Insajderi
Në raportin e publikuar të auditimit për projektin “Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna”, të zhvilluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) gjatë vitit 2024.
Nga 3 milionë euro të ndara për këtë program, ministria ka shpenzuar 2.29 milionë euro, ndërsa auditimi ka zbuluar një varg shkeljesh në fazën e planifikimit, përzgjedhjes së përfituesve dhe zbatimit të subvencioneve
Sipas raportit, projekti është zhvilluar jashtë planit vjetor të punës së ministrisë dhe pa rregullore të brendshme që përcakton procedurat e menaxhimit të subvencioneve, një mangësi që ZKA e konsideron rrezik të drejtpërdrejtë për ligjshmëri dhe efikasitet në përdorimin e fondeve publike.
“Zhvillimi i aktiviteteve jashtë fushëveprimit ligjor dhe pa rregullore të miratuara rrezikon legjitimitetin dhe transparencën e përdorimit të fondeve publike. Po ashtu mund të ketë ndikim në shpenzime jo efikase dhe devijim të burimeve nga objektivat strategjike dhe prioritetet e ministrisë“.
Përfitues të përzgjedhur në kundërshtim me kriteret
Dy përfitues janë përzgjedhur pa plotësuar kriterin e pronësisë, duke mos dorëzuar dokumentacion të vlefshëm pronësor, ashtu siç kërkohej në thirrjen publike.
Janë evidentuar raste të trajtimeve të pabarabarta të aplikantëve, ku qytetarë me dokumentacion të njëjtë janë trajtuar ndryshe disa të pranuar dhe disa të refuzuar pa arsyetim të qëndrueshëm.
Komisioni i vlerësimit ka përjashtuar 43 aplikantë pas vizitave në terren, por ZKA ka konstatuar se nuk ekziston asnjë dokumentacion mbështetës, si raporte apo fotografi, duke e bërë procesin jo transparent dhe të pavërtetueshëm.
“Përzgjedhja e përfituesve që nuk i kanë plotësuar kriteret dhe përdorimi i standardeve të ndryshme të vlerësimit gjatë këtij procesit ka rezultuar në trajtim jo të barabartë të aplikantëve duke rrezikuar ligjshmërinë, integritetin dhe besueshmërinë e procesit. Po ashtu, dokumentimi jo i mjaftueshëm pamundëson verifikimin dhe cenon transparencën përgjatë procesit të vlerësimit“, thuhet në gjetjet e ZKA-së.
Vendime kontradiktore dhe mosshfrytëzim i fondeve të disponueshme
Në disa raste, Komisioni i Ankesave ka nxjerrë vendime kontradiktore.
Aplikantë që i plotësonin kriteret janë refuzuar me arsyetimin se nuk kishte mjete të mjaftueshme, megjithëse nga buxheti i projektit ishin të pashpenzuara mbi 700 mijë euro, fonde të cilat mund të mbulonin përfitues shtesë.
“Vendimet e pa bazuara të komisioneve kanë rezultuar në përjashtimin e aplikantëve që i kishin plotësuar kriteret e përcaktuara, duke cenuar parimin e barazisë dhe transparencës në procesin e subvencionimit“.
Dy shtëpi të papërfunduara – ministria nuk ndërmori masa
Auditimi po ashtu ka identifikuar dy raste ku përfituesit nuk i kanë respektuar kushtet kontraktuale:
– Në një rast, përfituesi pranoi avans prej mbi 23 mijë euro, nuk dorëzoi dokumentacion shpenzimesh dhe shtëpia mbeti e papërfunduar edhe pas 16 muajsh.
– Në rastin tjetër, u ekzekutuan 80% e mjeteve, por ndërtimi nuk u finalizua dhe përfituesi nuk raportoi shpenzimet.
Edhe pse komisioni monitorues raportoi për këto parregullsi, ministria nuk ndërmori asnjë masë, ani pse kontrata e detyronte të kërkonte kthimin e mjeteve në raste të tilla.
Rekomandimet e ZKA-së
ZKA i kërkon MAPL-së që:
Të përfshijë të gjitha aktivitetet e subvencionimit në planin vjetor dhe të hartojë rregullore të brendshme të qarta;
Të sigurojë barazi dhe transparencë në procesin e përzgjedhjes së përfituesve;
Të përmirësojë trajtimin e ankesave;
Të zbatojë masat kontraktuale ndaj përfituesve që nuk i respektojnë obligimet
Raporti i ZKA-së vlerëson se procesi i përgjithshëm ka qenë i mangët dhe jo plotësisht në përputhje me ligjin, duke cenuar transparencën, barazinë dhe efikasitetin në shpenzimin e parave të qytetarëve.
Hulumtimi i Insajderit për milionat e shpërndara nëpër shtëpi nga Ministria e Elbert Krasniqit- Specialja konfirmon hetimet
Gazeta Insajderi në dhjetor të 2023-tës përmes një hulumtim disa mujor kishte zbuluar se si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e drejtuar nga Elbert Krasniqi e kishte shpenzuar fondin 3 milionësh për ndërtim e renovim shtëpish. Kompanitë që kryejnë këto punë u zgjodhën pa tender, diçka që në projektet e më hareshme të gjasshme qeveritare u bë ndryshe.
Gazeta Insajderi ka raportuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me këtë tender.
“Kane kërkuar të gjitha dokumentet me të dhëna nga MAPL”, tha burimi i Insajderit.
Gazeta Insajderi poashtu ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria por të njëjtit, nuk kanë dhënë ndonjë detaj.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se Prokuroria Speciale në këtë fazë nuk mund të iu ofroj asnjë informacion”, tha zëdhënësja për media e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kishte konfirmuar po ashtu se në mesin e përfituesve të projektit për ndërtim të shtëpive në veri ishin daja i Faton Pecit, dhe vëllai i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi. Ata kanë përfituar 46 mijë euro për ndërtimin e shtëpive të tyre. MAPL nuk kishte publikuar listën e përfituesve të këtij subvencioni.