Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, bëri të dielën paraqitjen e tij të parë publike pas disa ditësh, duke vënë kështu në qetësi spekulimet se ai mund të kishte ikur nga vendi për shkak të tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara.
Maduro, i cili zakonisht shfaqet disa herë në javë në televizionin venezuelian, nuk ishte parë në publik që nga e mërkura, kur publikoi një video në kanalin e tij në Telegram duke u drejtuar nëpër rrugët e Karakasit.
Kjo shkaktoi spekulime të shumta mbi vendndodhjen e tij, shkruan CNN, shkruan Insajderi.
Të dielën, ai u shfaq në një ceremoni vjetore për shpërblimet e kafesë së specialitetit në pjesën lindore të Karakasit. Në pamjet e transmetuara online, presidenti u pa duke ndarë medalje për prodhuesit e kafesë dhe duke shijuar disa lloje kafesh gjatë fjalimit të shkurtër, që nuk iu referua drejtpërdrejt krizës aktuale në vend.
Në fund të ngjarjes, Maduro u shpreh se Venezuela është “e pathyeshme, e paprekshme, e pakapshme”, duke iu referuar ekonomisë së vendit dhe duke sugjeruar tensionet me SHBA-të, të cilat kanë dërguar më shumë se një duzinë anijesh lufte dhe rreth 15,000 trupa në rajon, nën pretendimin për të luftuar trafikun e drogës. Caracas i sheh këto masa si një përpjekje për ta larguar Maduron nga pushteti.
Shfaqja e Maduros në këtë event erdhi pak çaste pasi Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se kishte biseduar me liderin venezuelian në telefon.
“Nuk dua të komentoj mbi këtë – përgjigja është po,” tha Trump për gazetarët në bord të Air Force One, kur u pyet nëse biseda kishte ndodhur. “Nuk do të thoja nëse shkoi mirë apo keq. Ishte thjesht një bisedë telefonike.”
Raporte të “The New York Times” dhe “The Wall Street Journal” tregojnë se Trump dhe Maduro kanë biseduar më herët këtë muaj. As Maduro, as zyrtarët e lartë të qeverisë së tij nuk kanë komentuar mbi këtë bisedë.
Ndërkohë, Jorge Rodríguez, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, nuk pranoi të diskutonte mbi telefonatën, duke theksuar se qëllimi i konferencës për media ishte njoftimi i një hetimi mbi sulmet e fundit amerikane në det ndaj anijeve të dyshuara për drogë, ku kanë humbur jetën mbi 80 persona.
Së fundi, Trump ka shtuar presionin ndaj Maduros duke paralajmëruar se sulme në tokë kundër rrjeteve të trafikut të drogës mund të ndodhin “shumë shpejt”, dhe u ka kërkuar kompanive ajrore, pilotëve dhe rrjeteve kriminale të shmangin hapësirën ajrore venezueliane. Megjithatë, ai theksoi se paralajmërimi nuk është sinjal për një sulm ajror të menjëhershëm.
“Mos lexoni asgjë në këtë,” tha presidenti amerikan, duke shtuar se paralajmërimi u bë sepse SHBA-ja e konsideron Venezuelën si një vend jo shumë miqësor.