Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, u shfaq të mërkurën në një konferencë për media për të sqaruar çështjet lidhur me importin e energjisë elektrike, duke mohuar raportimet se Kosova po importon energji nga Serbia.
Ai tha se importi nga Serbia ka qenë dominues vetëm gjatë qeverive të kaluara, ndërsa qeverisja aktuale e LVV-së nuk e ka vazhduar këtë praktikë.
Gazetarët u interesuan gjithashtu për reagimet e ashpra të ambasadave për përpjekjet e LVV-së për të mos certifikuar Listën Srpska.
Muja tha se këto pyetje nuk mund të trajtoheshin në konferencën e thirrur për energjinë dhe premtoi se mund t’u përgjigjet më vonë.
“E kom parasysh rolin dhe rëndësinë tuaj si gazetarë, mirëpo për hir të mosdeformimit të arsyes pse e kemi thirrur këtë konferencë, do të limitohesha vetëm në pyetjet mbi energjinë elektrike,” tha Muja, duke shtuar se më pas mund të japë një deklaratë për çështjet e tjera.
Ai i përshëndeti gazetarët dhe iu uroi një vit të ri të mbarë: “Në rast se nuk shihemi në ndonjë konferencë tjetër, më lejoni t’ju uroj një vit të ri, shëndet e begati për ju dhe familjet tuaja.”