Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka konfirmuar se do të rikandidojë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, si pjesë e ekipit të Bedri Hamzës dhe PDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin, duke kujtuar se në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk arriti ta sigurojë ulësen në Kuvend për një numër të vogël votash.
Ai shtoi se beson në mbështetjen e qytetarëve për të qenë “zëri i fuqishëm dhe i përgjegjshëm” në legjislaturën e ardhshme, duke shtuar se numri i tij në listën zgjedhore të PDK-së mbetet 109.
“Prandaj, në këtë proces zgjedhor, kërkoj përkrahjen tuaj të vendosur, që së bashku të arrijmë fitoren dhe të sjellim ndryshimin e domosdoshëm për një të ardhme më të zhvilluar dhe më të ndritur për Kosovën dhe qytetarët e saj”, shkroi ai.
Haxhiu u ka bërë thirrje votuesve që më 28 dhjetor të përkrahin PDK-në, kandidatin për kryeministër Bedri Hamza dhe kandidaturën e tij për deputet, duke kërkuar besimin e tyre për të përfaqësuar zërin e tyre në Kuvend.