Redaksia e Insajderit sot ka pranuar disa fotografi të varrit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Në pamjet që mediumi ka publikuar, shihet se varri i tij nuk është në gjendje të rregullt.
Në lidhje me këtë situatë për Insajderin ka folur Xhemile Dehari, nëna e Astritit. Ajo ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për dëmtimin e varrit të të birit dhe se, sapo të kthehet në Kosovë, do të merret me këtë çështje.

Pas publikimit të këtyre pamjeve dhe reagimit të familjes, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një deklaratë, ku ka shprehur keqardhje për dëmtimin e shtyllës dhe pllakës së flamurit kombëtar pranë varrit të Deharit.
Në njoftim, VV ka falënderuar Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe ka bërë të ditur se po pret rezultatet e hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë janë duke zhvilluar për zbardhjen e shkaqeve dhe identifikimin e personave të mundshëm që qëndrojnë pas këtij akti.