Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave si të dyshuar për vendosjen e rreth 20 kilogram eksploziv ushtarak në kanalin e Ujësjellësit “Ibër Lepenc”. Gazeta Insajderi ka mësuar ekskluzivisht se tre personat e akuzuar janë Jovan Viqentiqeviq, Dragisha Viqentiqeviq dhe Igor Dimoviq.
Sipas aktakuzës që ka parë Insajderi, më 29 nëntor 2024, të pandehurit dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogram eksploziv ushtarak TNT në kanalin e Ujësjellësit “Ibër Lepenc”, në një pjesë kritike që furnizon me ujë të pijshëm qytetarët dhe KEK-un për prodhim të energjisë elektrike.
“Më datë 29.11.2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varaç, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit të NH “Ibër Lepenc” SH.A., infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) SH.A. për prodhimin e energjisë elektrike, të pandehurit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullësisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak…”, thuhet në aktakuzë.
Aty shpjegohet se personat e dyshuar përmes një çante të cilën e kanë lidhur me litar në një shtyllë betoni e kanë futur në brendësi të kanalit dhe e kanë aktivizuar përmes një filli zjarf-përçellës.
“…eksplozivin e kanë futur (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit, përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku në atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një filli zjarf-përçellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të NH “Ibër Lepenc” SH.A.; është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës; është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi; çka me këto veprime të pandehurit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës NH “Ibër Lepenc” SH.A, i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376,774.70 Euro.” thuhet tutje në aktakuzë.
I akuzuari Jovan Viqentiqeviq po dyshohet për Spiunazh për shërbimin ushtarak serb
I pandehuri Jovan Viqentiqeviq, në cilësinë e të rekrutuarit në shërbim të huaj informativ, në këtë rast Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim përdorimin e tyre kundër interesave të sigurisë së Kosovës.
Ai ka qenë në kontakt me oficerë të inteligjencës në Serbi, ku ka dorëzuar dokumente të siguruara nga aktiviteti i tij i spiunimit, përfshirë edhe një dokument të klasifikuar 66-faqesh të KFOR-it.
“Po ashtu, nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, me datë 01.12.2024, i pandehuri Jovan Viçentijeviq, në cilësinë e të rekrutuarit në një shërbim të huaj informativ, në këtë rast të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, me gradën Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës dhe të njëjtat t’ua komunikojë këtij shërbimi, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj, e të cilat informacione dhe dokumente i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit. Në kuadër të dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarive së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i”, thuhet në aktakuzë.