Kryeredaktori i Insajderit, Visar Duriqi, ishte pjesë e Ditës së Tretë të Javës së Integritetit, në panelin “Dhuratat në Kryerjen e Funksionit Zyrtar”.
Ai atje theksoi se lufta kundër korrupsionit të lartë fillon me kontrollin e dhuratave, favoreve dhe udhëtimeve të padeklaruara – aty ku nis ndikimi dhe tjetërsimi i vendimeve shtetërore.
Duriqi tha se përvojat e gazetarisë hulumtuese tregojnë se dhuratat, fizike dhe jofizike, janë indikator i parë i marrëdhënieve problematike mes bizneseve dhe zyrtarëve. Sipas tij, mosdeklarimi i tyre nuk është rastësi, por mekanizëm i qëllimshëm për të fshehur ndikimin.

Duriqi shtoi se problemet kryesore nuk janë dhuratat fizike, por ato jofizike: qasje, mikpritje, pushime e udhëtime të paguara nga bizneset.
Fjalimi i plotë i Visar Duriqi, Kryeredaktor i Insajderit:
Duarthatat jo-fizike si lobim korruptiv
Pasi që vij nga terreni i gazetarisë hulumtuese dhe ndër vite, që kur ka deklarimi i dhuratave, e kemi përcjellë me interes, pasi që tregon shumë. Nëse një zyrtar merr le të themi dhuratë nga një kompani, dhe dhurata përfaqëson diçka personale në fund të ditës, tregon për një lidhje më shumë sesa biznes- Zyrë Publik, por më shumë biznes- dhe zyrtari specifik.
Po të kishte mekanizma më të fortë për ti detyruar zyrtarët që ti regjistronin në protokoll çdo dhuratë, fizike dhe jo fizike, do të shihnim pastaj që në këtë rast mund të flasim për korrupsion që nuk fshihet vetëm në dosje të rënda tenderësh, por në të ashtuquajturat “dhurata të vogla”
E dimë edhe nga zhargoni kosovar, dhe e kemi parë edhe në dosje hetimore, që korrupsioni nga sektori privat në drejtim të zyrtarëve shtetëror simbolizohet me fjali si “a ta qes një kafe”, “e kishim hangër një darkë e kishim fole”, “a do me t’gXu najsen”….
1. Dështimi i Modelit: Kontrasti Pasuri vs. Dhurata
Shifrat tregojnë qartë se sistemi i Kosovës ka dështuar të monitorojë dhuratat. Kontrasti midis dy regjistrave të APK-së është shokues:
Çdo vit, rreth 4,000 deri në 5,000 zyrtarë i deklarojnë pasuritë e tyre, me shkallë përputhshmërie mbi 99%. Aty ku ka kontroll efektiv, ligji respektohet.
Ndërkohë, shikoni trendin e dhuratave të deklaruara nga këta të njëjtë zyrtarë, sipas raporteve të APK-së:
| Viti | Zyrtarë që Deklarojnë Pasurinë (Përafërsisht) | Dhurata të Deklaruara (Gjithsej) | Diferenca |
| 2024 | ~4,000 | 277 | Deklarimi i Dhuratës për 1 në 14.4 Zyrtarë |
| 2023 | ~4,800 | 286 | Deklarimi i Dhuratës për 1 në 16.8 Zyrtarë |
| 2022 | ~4,700 | 187 | Deklarimi i Dhuratës për 1 në 25.1 Zyrtarë |
| 2021 | ~4,500 | 28 | Deklarimi i Dhuratës për 1 në 160.7 Zyrtarë |
Siç e shihni, numri i dhuratave të deklaruara ka ngecur në nivele minimale dhe ka shënuar rënie nga viti 2023 në 2024. Në vitin 2024, nga 4,000 zyrtarë, u deklaruan vetëm 277 dhurata. Ky numër qesharak, i cili nuk ndryshon nga viti në vit, dëshmon një mungesë të kontrollit – tregon se dhuratat që blejnë ndikim fshehen me qëllim dhe se sistemi i vetë-deklarimit ka dështuar në parandalim.
Problemi më i madh nuk janë dhuratat fizike (si shishet e verës), por ato jofizike: mikpritja, qasja, dhe udhëtimet e paguara – të cilat nuk deklarohen, por krijojnë kanale të ndikimit, së paku të dyshimt, por pse jo edhe korruptiv.
Rasti i Rezervës Shtetërore
Afera e Rezervës Shtetërore e dëshmon më së miri se si mikpritja e padeklaruar kthehet në korrupsion masiv.
Kryeministri Kurti ka vizituar jo rrallë restorantin “Bukë e Krypë e Zëmër”. Pronari i këtij restoranti ishte Ridvan Muharremi, i cili më vonë u bë epiqendra e aferës me Rezervat Shtetërore.
Këto vizita dhe mikpritje të supozuara, edhe nëse nuk janë shkëmbyer para, shërbejnë si një “dhënë” joformale që garanton qasje, besim dhe afërsi me zyrtarët më të lartë shtetërorë, duke anashkaluar kanalet institucionale. Muharremi, përmes kësaj qasjeje joformale, arriti të negocionte marrëveshje jetike për sigurinë e vendit, që rezultuan në shkelje të rënda.
Kjo tregon se dhurata më e madhe sot në Kosovë është qasja e lehtë te pushteti. Kjo qasje, e krijuar përmes mikpritjes (dreka, darka), nuk deklarohet kurrë si dhuratë, por është shkaku themelor i skandaleve financiare.
Shndërrimi i mjekëve në agjent shitjesh
Sektori i shëndetësisë vazhdon të jetë shembull se si dhurata jofizike (udhëtimi) kthehet në vendim të dëmshëm, por jo lehtë të matshme.
Nga përvoja personale e dimë që mjekët në përgjithësi përshkruajnë barna me emër komercial, edhe pse në fakt atyre u obligohet që ë shkruajnë ata me emra gjenerik. Pastaj, kur pacienti shkon për ti blerë ato, farmacisti e din se cili mjek për cilën kompani aktivisht ka bërë shitje dhe mjekët janë shndërruar në një formë a tjetër në agjent shitjeje të kompanive farmaceutike.
Dhe, pastaj shohim që mjekët bëjnë pushime të shtrenjta, udhëtime e seminare luksoze, dhe krejt këto paguhen nga kompani private të industrisë farmaceotike.
Dhe, në deklarimet e pasurisë së mjekëve ne nuk gjejmë që ndonjë nga ta të ketë deklaruar se cilin pushim, apo cilin seminar a trajnim, e ka marrë “falas” nga cila kompani farmaceotike, kompani që është në botën e tenderëve në institucionet publike shëndetësore, apo përfaqësi e ndonjë brendi ndërkombëtar.
Dhe këtu qëndron problemi, dhe ndoshta zyrtarët e APK këtu mund të tregojnë se a ka mekanizma, aktualisht, apo duhet të krijohen ata në të ardhmen, për ta kontrolluar shëndetësinë, që të mos lejohet kthimi i mjekve dhe punonjësve të tjerë në sektorin e shëndetësisë në agjent shitjesh të firmave private.
Rasti i BQK-së: Kultura e rrjetit dhe ndikimit
Edhe rastet e dhuratave fizike, kur shihen në kontekstin e institucioneve rregullatore si BQK, flasin për një kulturë të pandalshme të ndikimit.
Kemi raportuar rastin kur Guvernatori i BQK-së kishte pranuar rreth 40 dhurata brenda një viti. Kjo frekuencë tregon një rrjet të gjerë lobizmi. I kanë dërguar dhurata edhe kompanitë e ndëshkuara nga vet BQK-ja.
Anëtarët e Bordit të BQK-së kanë pranuar dhurata si shishe me verë të shtrenjtë, skulptura dhe pije alkoolike.
Këto dhurata, edhe pse të deklaruara, janë prova se dhurata është një valutë e ndikimit, e cila shfrytëzohet për të hapur dyert dhe për të krijuar detyrime morale që më pas kthehen në favorizime.
Tek BQK-ja kemi paë që dhurata kanë dërguar edhe firma që aktualisht nuk janë nën mbikëqyrjen e BQK-së, si bankat e kompanitë e sigurimeve, por edhe kompani që shesin vetura e që planifikojnë që të marrin licencë nga BQK-ja për të krijuar firma lizingu. Dhurata në këtë rast po dukën më shumë se sa dhurata, por si nisje e negociatave jo-formale për profite të më vonshme milionëshe.
Ndërhyrje urgjente për kontroll Efektiv
Për të ndryshuar këtë realitet, duhet të kalojmë nga sistemi i bazuar në besim në sistemin e kontrollit të detyruar.
APK duhet t’i konsiderojë deklarimet “Zero Dhurata” nga zyrtarët me risk të lartë si:: në Prokurim Publik, Agjenci Rregullatore, Komisione Licencuese dhe Sektorin e Shëndetësisë sidomos si një Flamur të Kuq. Mungesa e qëllimshme e deklarimit duhet të rezultojë me ndonjë masë, çfarë e parasheh ligji aktual, ose të krijohen akte nënligjore, nëse nuk mund të amandamentohet ligji në fazat e tanishme.
Duhet të miratohet një udhëzim administrativ i qartë që detyron zyrtarët publikë të deklarojnë çdo udhëtim, akomodim, apo mikpritje me vlerë mbi 50 Euro, nëse ato paguhen nga një palë e tretë private. Ky mekanizëm do të bënte të gjurmueshme pagesat për seminare apo drekat në restorante që kthehen në afera politike.
Të mos kufizohet APK-ja vetëm në mekanizma të hetimit administrativ, por bie fjala, edhe një hetim të koordinuar me kontrollin e kakinjve, administratën tatimore, dhe të nxirren të dhëna konkrete, si bie fjala në rastin e mjekëve: të konfirmohet nëse kompania private ua ka paguar akomodimet, dhe ata nuk i deklarojnë ato, të konsiderohet si mos-deklarim.
Regjistri i dhuratave duhet të jetë një platformë digjitale e ndërlidhur me të dhënat e Prokurimit Publik dhe të Licencimit të Bizneseve. Ky sistem automatik do të zbulonte se si, bie fjala, pronarët e restoranteve apo kompanitë farmaceutike lidhen me vendimet e larta shtetërore, duke e bërë qasjen korruptive të gjurmueshme.
Nëse Kosova dëshiron të luftojë korrupsionin e lartë, ajo duhet të fillojë të kontrollojë dhuratat, favorët dhe udhëtimet e padeklaruara – sepse aty fshihet ndikimi dhe aty fillon tjetërsimi i vendimeve shtetërore.