Po flasim për Albin Kurtin. Dhe po flasim për kapitalizëm. Edhe për profesionin e pimpit. Kush nuk e kupton këtë fjalë: google. Kurti pandeh të jetë i majtë, por ai është kapitalist. Madje i egër. E, edhe me paratë tona bile. Ai po e pimpirat një popull. Kosova është bordeli i tij
Visar Duriqi
Në garë për mandatin e tij të tretë, themeluesi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që tash ka ndërtuar edhe një grup propagandistesh të hapur. E tillë ishte këngëtarja që e sakatoi këngën për Çun Mulën. Tashmë ai kaloi fazën kur propagandistët e tij shin grupe gati gjysmë-ilegale, si grupi #MeKryeministrin, ku administratori i saj një herë dha intervistë sikur të ishte në bodrumet e mediave opozitare ruse.
Dhe krejt ky kapërcim nga aksionet me koktej molotovi e gaz lotsjellës në opozitë, te pushteti në Kryeqytet, tek Qeveria qendrore e shtrirja e dorës së ndikimit legal dhe jo krejt legal nëpër institucione që besohej të mbeteshin të pavarura, erdhi me një strategji që më shumë se sa e mësuar nga librat e shkencave politike, duket e kopjuar nga një libër i shkruar nga një pimp: Iceberg Slim, emri i vërtetë i të cilit ishte Robert Beck.
Autori i librit “Pimp: Historia e jetës sime” tregon për të bëmat e tij në biznesin e seksit komercial, dhe historia zhvillohet ne Çikagon e viteve 1930-1960. Libri tregon me detaje të papërmbajtur e brutale se si ai u përfshi në këtë botë, si e ushtronte kontrollin mbi gratë që punonin për të, luftën me varësitë, burgjet, dhunën dhe të metat e tij emocionale, dhe më në fund reflektimin e tij si një burrë më i vjetër që tenton të largohet nga ky stil jete.
Derisa edhe historia e tij zhvillohet ne Çikago, edhe ajo që luftojnë, kinse, të majtit, diçka që Albin Kurti e pandeh vetën të jetë, është “Shkolla e Çikagos”: kapitalizmi i pakufizuar, tregjet e lira, dhe ndërhyrja minimale e shtetit në ekonomi.
Derisa versioni i Iceberg Slim përfaqëson po “Shkollën e Çikagos”, veç edhe me mbiemr: Kapitalizmi i egër.
Libri “Pimp: The Story of My Life” nuk është vetëm për rrugën. Është manuali më i ftohtë i kapitalizmit. Është historia se si një pimp i vë nën kontroll punëtoret e tij me dhunë psikologjike e fizike, i thyen shpirtërisht dhe financiarisht, e më pas ua kthen shpinën. Dhe tamam kur viktima është në pikën zero, ai i vjen me banjë të ngrohtë dhe ilaçe kundër dhimbjes. Rezultati? Viktima e harron që ai ishte shkaktari i dhimbjes dhe bëhet mirënjohëse ndaj tij si i vetmi shpëtimtar.
Tek kapitulli “Ta humbësh një ku®vë”, autori i këtij libri përshkruan njërën nga punëtorët e tij më të vjetra, Runt, që tashmë kishte ardhur në fund të karrierës, por ai ishte i bindur që mund ta shfrytëzonte ende.
Ajo fillon të bëhet e padisiplinuar. Ai i kërkon këshillë një kolegut të tij pimp për disiplinim. Në fund gjen zgjidhjen: Merr një varëse metalike teshash dhe e rreh punëtoren me të deri sa ajo dorëzohet — një akt i qartë dhune dhe kontrolli që synon t’i prishë vullnetin dhe ta mbajë atë në nënshtrim. Për të qetësuar, ai më pas i jep asaj mundësinë për një banjë të ngrohtë dhe ilaçe kundër dhimbjes.
Runt pastaj ndihet falënderuese ndaj Iceberg, duke harruar që në fakt ishte ai që ia kishte shkaktuar krejt dhimbjet e saj, që prej momentit kur e rekrutoi që të punonte për të e deri te momenti kur e kishte rrahur brutalisht.
Nëse tenton ta shohësh qeverisjen e Albin Kurtit nga jashtë, kjo është formula që po zbatohet në mënyrë të përpiktë në Kosovë. Ai nuk është thjesht pimp bordeli, por po e pimpirat një popull të tërë duke e bërë shfrytëzimin politik të krizave që vet i shkaktoi. Është një kapitalist i egër, por jo si biznesmen me punëtorët e tij, por si njeriu më i pushtetshëm në vend, e me paratë tona.
Ti kthehemi rastit të fundit me pagat në televizorin publik, që e politizoi deri në masën sa një djalosh që dikur në pandemi fotografohej në mbledhjet e partisë, tash është drejtor televizioni. Ndoshta librezën e ka grisur sa të mos mund ti themi njeri i Vetëvendosjes me librezë, e për të lënë hapësirë për ankesa e padi.
Me aktivitete praktike duke filluar na gjuha e ashpër kundër opozitës, e mos- ndërrimi i kandidatit për Kryeparlamentar, Kurti kishte zvarritur për muaj fillimisht vet themelimin e Kuvendit. Pastaj zvarriti po ashtu edhe themelimin e Qeverisës. Në krejt këtë katrahurë, televizioni publik mbeti pa buxhet. Gazetarët e medias që duhej të ishte publike, pa paga. Ata në një formë ‘me varëse rrobash’ u rrahën nga Kurti deri në masën sa dolën në protestë.
Dhe, një moment, Kurti që ishte shkaktar i kësaj dhimbjeje, doli si shpëtimtar i tyre. E ekzekutoi, pa Kuvend, buxhetin që ta përdorte RTK-ja për pagat dhe u harrua që shkaktari krejt asaj skene ishte vet ai që në fillim.
Ky ishte shembulli më direkt i metodës së pimpit të i Iceberg Slim që Kurti përdori, derisa për ta pimpiratur krejt vendin, si Kryeministër ai morri vendime politike kokëforta që shkaktuan masa ndëshkuese nga BE-ja.
Dhe këtu nuk po flasim për disa euro, por sanksionet nga BE-ja që Kurti ia solli Kosovës përfshijnë humbje të projekteve të zhvillimit, dhe sipas analizave, ky akt i vetëm ka pezulluar mbi 600 milionë euro në infrastrukturë, energji dhe mjedis. Dëmi total shkon në qindra milionë euro humbje. Kjo është një tjetër rrahje e rëndë. E meqenëse paratë e BE-së nuk po vijnë, çfarë bën pimp-i? Shpërndan subvencione nga buxheti ynë i shtetit.
Subvencioni, pra, është Ilaçi qetësues. Ai nuk trajton shkakun e humbjes së mbi 600 milionë eurove, por i jep qytetarit para direkt në dorë për t’u qetësuar. Për të falënderuar pastaj po personin që e shkaktoi dhimbjen.
Njerëzit janë aq të lodhur nga rrahja: kriza e energjisë, çmimet, sanksionet saqë e shohin ndihmën qeveritare si shpëtim. Dhe ja sa e thellë është plaga:
Për familjet që konsumojnë mbi 800 këh, çmimi i energjisë elektrike që nga viti 2021 është rritur mbi 130%. Pritet ende rritje. Kjo është varësja e rrobave që na ka lënë pa frymë. Pa harruar implikimin e njerëzve të tij në atë që vet Kurti e quante ‘mafja energjetike’ për çka tashmë ka aktakuza e ka hetime të tjera në rrugë për aktakuza tjera, e njerëzit e tij të afërt fortë, si nga partia ashtu nga prejardhja, si Martin Berishaj i Malit të Zi, janë kapur në payroll të kompanive në Beograd. Por pimpi na jep disa subvencione dhe ne duhet të themi faleminderit.
Nga viti 2021 deri më 2025, kostoja e shportës familjare është rritur me rreth 47% më shumë. Kjo do të thotë që për të blerë të njëjtat gjëra që dikur paguaje 100 euro, sot paguajmë pothuajse 150 euro, dhe më shumë, pasi që vetëm për ushqime bazë rritja shkon 50–60%. Sërish, Qeveria nuk e lufton thelbin e problemit, por ofron “aspirinë” nga paratë tona- subvencione nga 100 euro një herë në vit për kategori të ndryshme.
Këta janë vetëm disa shembuj, pasi që po të shkruajmë për krejt të bëmat e tij në këtë strategji, do të merrte shumë faqe e kohë, pasi që të njëjtën metodë për nënshtrim që në fund të falënderohesh për shpëtim, e përdori me administratën publike, duke e politizuar atë e njerëzit e saj duke i degraduar e jo rrallëherë duke i linçuar si njerëz të ish-regjimit.
Mësuesve ua dha një palaço që ti nënçmonte duke iu thënë “a për poare e keni a”. Policëve që kërkonin paga meritore ua kujtoj se sa të shtrenjta i kanë pajisjet. Ushtarët i la një kohë nën panikun e bukës për disa tenderë që nuk mund të merreshin vesh se kush ti kapte, Ministri a Zëvendësministrat. Beteja e atyre që ushtarët nëpër kazerma në muhabete private i quajnë ‘hajduqt e Ministrisë’ ua rrezikoi edhe bukën e gojës. Në fund erdhi ilaçi nga shpëtimtari Kurti: Kuzhina me kuzhinierë të ushtrisë, edhe “hani qaty e shuni’.
Të punësuarit në sektorin e sigurisë që nuk u nënshtruan përjetuan degradim, derisa kushtet fizike të punës mbesin primitive e nënshtrimi psikologjik vije duke i bërë ato ambiente toksike me avancim njerëzish inkompetenntë si shefa të rinj me vetëm një kërkesë: lojalë ndaj Kurtit.
Pas nënshtrimit disa vjeçare, nuk harron që të ua jep qetësuesin e dhimbjeve sikur Iceberg Runtit: rrogën e 13-të.
Histori më vete pastaj është raporti i tij me sektorin privat, ku për ti nënshtruar ka vënë iniciativa ligjore, jo rrallë anti-kushtetuese, siç ishte kontrolli qeveritar direkt i çmimeve të naftës që deshi të bëhej edhe me një ligj për kontroll direkt të shtetit edhe mbi çmimet e tjera. Po, çka është kushtetuta për dikë që është zënë mbi 10 herë duke e shkelur atë?
Ilaçi për të ia pashitur dhimbjen që i ka shkaktuar sektorit privat vendosi të mos ua jepte biznesmenëve, por punëtoreve të tyre duke u thënë që në qeverisjen e tij të radhës paga minimale do të bëhet 500 euro e nga kjo do të përfitojnë direkt krejt të punësuarit në sektorin privat.
Biznesmenëve që iu nënshtruan nuk harroi të t’iu jepte tenderë. Dhe, për krejt qeverisjen e tij tashmë fjala tender është togfjalësh për Vetëvendosje. Shkojnë bashkë. Dhe jo çfarëdo tenderi, e aso që të lodhin me dokumente e kritere, por tender të negociuar: hajde dost sa po i jep për qit punë, e sa i marr unë?
Për krejt kohën kur ai kapi pushtetin qendror, dhe më herët, ose vet, ose përmes njerëzve të tij mediat i ka akuzuar si: Me Serbinë, çetnikë me shajkanqë, të paguar nga armiqtë, shpërndarës të propagandës ruse, Grup i Përbashkët Kriminal, shërbëtorë të ish-regjimit, hajna të korruptuar që duhet konfiskuar pasurinë…. : shtoni vet etiketa e tjera që çka t’iu kujtohet.
E raporti me media mbetet armiqësor për krejt periudhën e qeverisjes së tij, ani pse me ‘paracetin’ e fundit, ku ai doli në një TV edhe kinse u zbutë ndaj gazetarëve që njerëzit e tij i quajnë vrasës me pgesë, bëri që madje një nga kolegët tanë naiv të e thotë edhe haptazi që u vërtetua e kundërta se Kurti nuk është kundër mediave. Nuk e harrojmë ne të tjerët.
Kjo nuk është qeverisje, ky është menaxhim i krizës me qëllim për të krijuar varësi politike. Qëllimi është t’i bëjë qytetarët të thonë: “Në këtë botë të egër, askush s’më mbron, përveç Albin Kurtit”, siç tashme po e thonë, duke harruar krejt që ne u bëmë nevojëli për subvencione pas veprimeve po të Albin Kurtit.
Kurti e ka kryer transformimin nga aktivist për barazi në pimp kapitalist të egër. Ai po përdor humbjen e miliona eurove nga sanksionet e BE dhe shtrenjtimin energjisë e shportës familjare për t’u bërë i vetmi burim i lehtësimit. Një strategji kaq e ftohtë dhe cinike saqë Iceberg Slim-i nuk do ta mbante dot barkun nga e qeshura se si dikush, mbi gjysmë shekull më vonë, në qeverisje të një vendi, do të përdorte një metodë të përdorur nga një pronar bordeli.
Herën tjetër kur do të shihni në xhirollogari se keni pranuar një subvencion, kujtojeni: Nuk po merrni një ndihmë sociale; po e merrni një aspirinë nga pimp-i i shtetit, pasi ai vetë ju rrahu me varësen e rrobave të krizës. Dhe për këtë, ju pritet të jeni mirënjohës.