Në listën e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare me numër 79 garon Besim Mulaj.
Në paraqitjet e tij publike, Mulaj ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në procesin zgjedhor, veçanërisht atyre që votojnë për herë të parë. Ai e cilëson votën si mjet demokratik për ndikim në drejtimin e politikave publike, duke vënë theksin te çështjet që lidhen me arsimin, punësimin dhe perspektivën e të rinjve në Kosovë.
Si kandidat i LDK-së, Mulaj mbështet programin politik të kësaj partie, i cili përfshin reforma në arsim, zhvillim ekonomik dhe forcim të institucioneve. Sipas tij, këto fusha mbeten kyçe për adresimin e sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë papunësinë dhe emigrimin.
Ky është postimi i tij i plotë:
E dashur rini e Kosovës,
sidomos ju që për herë të parë po merrni në dorë fuqinë e votës,
Po ju drejtohem me zemër, jo si politikan, por si dikush që beson thellë se e ardhmja e këtij vendi është në duart tuaja. Kjo votë nuk është thjesht për të ndërruar emra apo qeveri – është për të ndërtuar një Kosovë ku ju, dhe fëmijët tuaj nesër, të keni mundësinë t’i jetoni ëndrrat këtu, në vendin tuaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës përfaqëson vizionin e shpresës, të dijes dhe të zhvillimit. Dr. Lumir Abdixhiku dhe LDK kanë ide konkrete dhe të realizueshme për rininë dhe për Kosovën që duam: një shtet ku puna vlerësohet, arsimi forcohet dhe e ardhmja nuk kërkohet larg, por ndërtohet këtu.
Perëndimi mund të jetë një mundësi – për pushime, përvoja, shkollim apo punë – por Kosova është shtëpia jonë. Unë vet jam fëmijë mërgimtari, por kurrë nuk e kam pranuar të jetoj larg këtij vendi të bukur. Me shpresë dhe besim, dua që as fëmijët e mi të mos detyrohen ta lënë Kosovën për të ndërtuar jetën e tyre.
Prandaj, me votën tuaj, ta kthejmë shpresën në realitet. Ta bëjmë Kosovën vendin ku ëndrrat nuk shtyhen, por realizohen.