Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidati për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një tubim madhështor në qytetin e Pejës.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj prezantoi ekipin e kandidatëve për deputetë dhe shpalosi shtyllat kryesore të programit qeverisës, duke e cilësuar Pejën si bastionin e vendimeve të mëdha historike.
Haradinaj theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht një proces i radhës, por një moment përcaktues për fatet e Kosovës.
“Peja historike, qyteti që gjithmonë ka qenë në anën e vendimeve të mëdha, e ndjen qartë se këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të veçantë, një pikë kthese që përcakton drejtimin e së ardhmes së vendit”, deklaroi Haradinaj.
“Gjatë takimit të sotëm në Pejë prezantuam kandidatët për deputetë dhe vizionin e Aleancës për katër vitet e ardhshme. U diskutua një plan i qartë zhvillimi, nga ekonomia e qëndrueshme dhe ndërtimi i aleancave të forta, deri te kultura si shtyllë e identitetit dhe progresit shoqëror” tha më tej i pari i AAK’së.