Avokati Ardian Bajraktari ka bërë të ditur se është aprovuar padia e Institutit të Kosovës për Drejtësi lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Bajraktari ka thënë se ky vendim konfirmon shkeljet ligjore të procesit vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së kryetarit të KPM’së.
“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar padia e OJQ Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe është deklaruar i paligjshëm Vendimi për Zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) i datës 17.01.2025. Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së Kryetarit të KPM-së. Po ashtu, ky vendim rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë, me rastin e marrjes së vendimeve të tilla”, thotë Bajraktari.
Besnik Berisha ishte zgjedhur kryetar i ri i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me katër vota nga anëtarët në janar të këtij viti. Ai u zgjodh kundërligjshëm, meqë kryetari i deriatëhershëm, Jeton Mehmeti, kishte mandat edhe disa ditë.
Berisha është parë i afërt me pushtetin e VV’së. Berisha madje s’ka hezituar të linçojë mediat.

Një shkrim tjetër të gjatë, të publikuar më 9 shkurt 2021, pak ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ai bënte thirrje indirekt që të votohej partia e Albin Kurtit.
“Le të shpëtojmë veten dhe ata më 14 shkurt nga kjo e keqe të cilën kurrsesi s’po mund ta shohim nga brenda. Ndryshimi do të ua largojë sado pak edhe atyre këtë virus shtet-shkatërrues”, shkruante Berisha.

Berisha në disa postime të tij, e kishte linçuar publikisht gazetarin Valon Syla.
“Shumë ma mirë e kish lujt ky “Xhek Setrën” sesa Naser Rafuna. Mega-primitivizimi i këtij soji që fyen çdo vlerë kombëtare dhe tenton të shuaj çdo shpresë po i bind edhe pjsën e vogël neutrale të shoqërisë se duhet mbështetur shansin e fundit për ndryshimin thelbësor”, shkruante Berisha më 28 janar të 2021-ës.

Berisha ka pasur kritika edhe për dikur emisarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Berisha thoshte se deklaratat e tij do ta çonin deri në 80 për qind në zgjedhje VV’në.
“Richard Grenell dhe Valon Syla kanë bo be që kane me fol derisa ta bijnë VV-në në 80%” shkruante më 3 mars 2021, Berisha. /Insajderi.org/
