Insajderi
Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj Ylber Hysenit, Afrim dhe Melihate Gashit për dallavere me pronën milionëshe në Veternik

Insajderi
23 December 2025 - 18:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ngritet aktakuzë ndaj Ylber Hysenit, Afrim dhe Melihate Gashit për dallavere me pronën milionëshe në Veternik
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Ylber Hysenit, Afrim Gashit dhe Melihate Gashit për dallavere me pronën milionëshe në Veternik.

Hyseni akuzohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimet e rreme”. Gjithashtu, në bashkëkryerje me Afrim Gashit, akuzohen për “Mashtrim në bashkëkryerje e në vazhdimësi” dhe “Falsifikim i dokumentit në bashkëkryerje”. Afrim Gashi dhe gruaja e tij, Melihate Gashi, gjithashtu akuzohej për veprën penale “Deklarimet e rreme”.

Hyseni, sipas Prokurorisë vazhdon të jetë në arrati, dhe ndaj tij është lëshuar letër-rreshtim nga Gjykata dhe kërkesë për letër-rreshtimit ndërkombëtar nga Gjykata Themelore Prishtinë.

Në dosjen e Prokurorisë, që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar, në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Ylber Hyseni, më 27 nëntor 2020 në Drejtorinë e Kadastrit, Komuna Prishtinë, me dashje dhe vetëdije të plotë edhe pse ka qenë në dijeni se vendimi gjyqësor- aktgjykimi i Gjykatës Supreme i datës 22 gusht 2019 është nxjerrë në bazë të një dokumenti të falsifikuar, ka vënë në lajthim zyrtarët e Drejtorisë së Kadastrit, të cilët duke u bazuar në vendimin e Supremes, kanë lëshuar certifikatën kadastrale ku figuron se Zojë Hyseni është pronare e parcelave të lartcekura. Kështu, duke vënë në lajthim institucionet me paraqitjen e dokumentit publik të cilin e ka nxjerrë me dokumente të falsifikuara dhe ka vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, par.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Hyseni më 21 korrik 2020, saktësisht tek noteri Sefadin Blakaj, jep deklarim të rremë se nuk ka trashëgimtarë të tjerë të trashëgimlënëses- nënës se tij Zojë Hyseni dhe se është i vetmi trashëgimtar i saj, duke i fshehur kështu trashëgimtaret e tjerë përkatësisht vëllezërit dhe motrat dhe atë H., H., I., dhe S.Hyseni.

Kështu, thuhet se ai nënshkruan procesverbalin e trashëgimisë dhe se deklarimi i tij para noterit në prezence të dy dëshmitarëve Afrim dhe Melihate Gashi merret si bazë për vendimin përfundimtar në procedurë, përkatësisht kalimin e pronës nga trashëgimlënësja Zojë Hyseni në trashëgimtarin- këtu të pandehurin Ylber Hyseni.

Për çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “Deklarimet e rreme” nga neni 384, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Për veprën penale “Deklarimet e rreme” akuzohet edhe Afrim Gashi, pasi thuhet se në prani të noterit jep deklarim të rremë se Zojë Hyeni nuk ka trashëgimtarë të tjerë dhe se Ylber Hyseni është i vetmi trashëgimtar i saj.

Po për këtë vepër penale, akuzohet edhe Melihate Gashi, pasi edhe ajo në cilësinë e dëshmitares thuhet se para noterit publik jep deklarim të rremë se Ylber Hyseni është i vetmi trashëgimtar i vetëm i Zojë Hysenit.

Me këto veprime, secili veç e veç, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Deklarimet e rreme” nga neni 384, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi akuzohen se nga janari i vitit 2021 në vazhdimësi deri në vitin 2024, në lagjen “Veternik” në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur fakte arrijnë t’i mashtrojnë të dëmtuarit, duke qenë në njohuri që tani e ndjera Zojë Hyseni nuk kishte prona të cilat ia kishte lënë babai R.P., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm arrijnë të sigurojnë dokumentin e falsifikuar Reshenje Broj 461/61, të datës 7 gusht 1961 të cilën e përdorin në emër të saj në procedurën kontestimore me ç’rast fitojnë pronësinë për 9.76.27 hektarë në Veternik, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Pas kësaj, Prokuroria thotë se së bashku paraqiten para noterit Sefadin Blakaj duke hapur trashëgiminë, deklarojnë rrejshëm se i pandehuri Hyseni është trashëgimtar i vetëm duke ia mundësuar atij fitimin e pronësisë.

“Pas përfundimit të procedurës në Drejtorinë e Kadastrit– Komuna Prishtinë dhe marrjen e fletës poseduese, fillojnë me parcelizimin e paluajtshmërisë sipas kërkesës së qytetarëve, me ç’rast i shtyjnë të njëjtit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre edhe pse kanë qenë në dijeni se procesi i fitimit të pronës ka qenë i përfunduar me dokumentet të falsifikuar dhe dëshmi të rreme, ku i pandehuri Ylber edhe pse pronar i tokës përfiton 114,135€, ndërsa i pandehuri Afrim si i autorizuar për të shitur parcelat përfiton në mënyrë të kundërligjshëm mbi 3,275,184, duke iu shkaktuar dëm material në shkallë të madhe të dëmtuarve të listuar si në propozim të kësaj aktakuze”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje e në vazhdimësi”, nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

Gjithashtu, Hyseni e Gashi akuzohen se më 19 korrik 2025, duke e ditur se dokumenti Reshenje broj 461/61, është i falsifikuar, me qëllim që të shërbejë si provë në procedurë, përmes postës DHL e dorëzojnë atë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pasi duke e ditur se po hetoheshin për “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, mundohen që ta përdorin si dokument origjinal duke e dorëzuar si provë lidhur me çështjen penale. Ky dokument, i cili pas verifikimit ka rezultuar se nuk është i origjinal dhe as nuk është i dorëzuar nga shteti serb në rrugët zyrtare.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit në bashkëkryerje” nga neni 390, par.2 lidhur me par.1, si dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Me këto veprime të të akuzuarve, sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar është mbi 3 milionë euro.

Në arsyetimin e aktakuzës, ndër të tjera thuhet se Ylber Hyseni ka shfrytëzuar moshën e nënës tanimë të ndjerë, e cila ka vdekur gjatë procedurave.

Sa i përket aktgjykimit të Supremes, thuhet që është bazuar në dokumente që rezultojnë të jenë të lëshuara në ditën e shtunë dhe të diel. Fakte këto, që sipas Prokurorisë, tregojnë për fabrikimin e dokumenteve në rastin konkret të destinuara për fitim të pronës me dokumente të falsifikuara.

Gjithashtu, si prova janë bashkëngjitur edhe ekspertizat e dokumentit Resenje, ku ndër të tjera thuhet se krahasuar me mostra tjera të dokumenteve të marra atëkohë, del se është shkruar me makinë tjetër shkrimi dhe ka mospërputhje tjera si tek shkronja X, numrat si 3 dhe 8, dhe hapësirat mes disa fjalëve.

Edhe i akuzuari Afrim Gashi dhe gruaja e tij Melihate Gashi, thuhet se kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa Ylber Hyseni gjendet në arrati dhe për të njëjtin është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar.

Në aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohet në mënyrë të përhershme dobia pasurore e përfituar me vepër penale.

Dëshmia e vëllezërve dhe motrës se Ylber Hysenit:

H.H., vëllai i Ylber Hysenit, në deklaratën e dhënë në Prokurori, ndër të tjera thuhet se ka thënë nuk ka qenë në njohuri dhe nuk është në njohuri që vëllai i tij posedon në emër të tij 9 hektarë tokë.

“Personin Afrim Gashi e njeh pasi që është shok i vëllait të tij dhe Afrimi sipas dëshmitarit i ka njohur për së afërmi si familje, pasi që kishte ndërruar jetë nëna Zoja i njëjti kishte qenë së bashku me Milihatin gruan e tij për të pa”, thuhet në aktakuzë. Kurse, për pasurinë e vëllait të tij, ai ka deklaruar se po e merr vesh nga Prokuroria dhe nuk ka qenë në dijeni gjyshi i tij Rr.P., ka poseduar tokë në Prishtinë dhe as që dëshiron të dijë për atë çështje.

Nga deklarata e motrës se tij, S.H., thuhet se nuk e ka njohur gjyshin Rr.P., ndërsa nuk është në dijeni se nëna e saj, ka pretenduar në ndonjë pronë në Prishtinë. E as nuk është në dijeni se vëllai i saj ka në pronësi 9 ha tokë të trashëguar nga nëna Zojë Hyseni.

Gjithashtu, në Prokurori, ajo ka deklaruar se Afrim Gashin e njeh dhe ka qenë në vizitë me bashkëshorten Melihaten një muaj para se të vdes nëna.

“Tutje shton se nuk ka deklaruar tek noteri për heqje dorë nga trashëgimia. Milihat Gashi gruaja e Afrimit ka qenë për të parë po ashtu me rastin e vdekjes së nënës Zojës dhe ka ofruar drekë për të”, thuhet tutje në aktkauzë.

Nga deklarata e vëllait tjetër H.H., gjithashtu thuhet se ai deklaroi qv gjyshin e tij nuk e mban mend dhe nuk është në njohuri që vëllai i tij posedon në emër të tij 9 ha tokë.

Sa i përket dokumenteve të dërguara me DHL, sipas Prokurorisë, sipas një CD-me video-incizimin e të pandehurit Afrim Gashi, vërtetohet fakti se i pandehuri Gashi ka qenë në dijeni dhe në komunikim me të pandehurin Ylber Hyseni për dorëzimin e dokumenteve përmes postës DHL, sepse pas deklarimit në Prokurori tek prokurorja e rastit jashtë procesit deklaron se; “shume shpejt do të vijnë dokumentet, shpresoj që skeni me na ndjek penalisht edhe në Serbi”.

“Bazuar në të gjitha faktet e përshkruara, Prokurori i Shtetit vjen në përfundimin kemi të bëjmë me një rast tipik të mashtrimit penal të kryer nga të pandehurit Afrim Gashi dhe Ylber Hyseni, ku përmes manipulimit – shfrytëzimit të moshës së tani më të ndjerës Zojë Hyseni e cila në vitin 2014 ishte 86 vjeçare…”, vlerësohet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Hyseni, si pronar i tokës prej 9 ha, ka përfituar vetëm 114,135 euro, ndërsa i pandehuri Gashi shumën prej 3,275,184 euro, gjë që vërteton faktin se i gjithë procesi ka qenë skemë e mashtrimit e organizuar nga i pandehuri Afrim Gashi së bashku me Ylber Hysenin.

Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.

Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.

Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.

Pas ankesës, më 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.

Pra, kolegjet vendosën për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve ’60-ta të nxjerra asokohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.

Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.

Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.

Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.

Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.

Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, thuhet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari i vetëm.

Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.

Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.

Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.

Në anën tjetër, avokati Venhar Hana, i cili është edhe bashkëpronar në këtë pronë, u ndalua në qershor të këtij viti (2025) dhe iu caktua paraburgimi pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), gjithashtu në Veternik.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark