Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24.12.2025, rreth orës 09:23, është raportuar një aksident trafiku në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudar.
Sipas njoftimit, fillimisht në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jug, pasi thirrja telefonike kishte kaluar në këtë drejtori. Në vendngjarje kanë intervenuar gjithashtu njësitë e zjarrfikësve dhe stafi mjekësor emergjent nga Mitrovica e Jugut.
Më pas, duke qenë se zona i takon përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, në vendin e aksidentit kanë dalë Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor Mitrovicë Veri, stafi mjekësor dhe zjarrfikësit nga Mitrovica e Veriut.
Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një automjet civil me targa vendore dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës.
Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime, tre nga automjeti civil dhe dy zyrtarë policorë. Të lënduarit janë duke pranuar trajtim mjekësor.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.