Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besim Mulaj, ka zhvilluar një takim me qytetarët e Istogut, ku ka theksuar mbështetjen e madhe që, sipas tij, kjo komunë po i jep LDK-së dhe vizionit për ndryshim.
Përmes një postimi në Facebook, Mulaj shkroi se Istogu e ka pritur me energji, duartrokitje dhe besim për një të ardhme më të mirë, duke e cilësuar këtë komunë si shembull të mirëqeverisjes së LDK-së.
Ai u shpreh se kjo frymë do të bartet edhe në qeverinë qendrore.
“Sot Istogu na priti si kurrë më parë – me duartrokitje, energji dhe besim të madh për ndryshim. Istogu është shembull i mirëqeverisjes nga LDK-ja dhe këtë frymë do ta çojmë edhe në qeverinë qendrore. Me 28 Dhjetor, Dr. Lumir Abdixhiku kryeministër“, shkroi ai.
Mulaj gjithashtu deklaroi se, nëse zgjidhet deputet, do të jetë zëri i qytetarëve të Istogut.
“Me përgjegjësi të plotë u premtova qytetarëve të Istogut se, si deputet, do të jem zëri i tyre dhe do t’i mbroj pa kompromis interesat e tyre”.