Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Besim Mulaj, ka kritikuar qasjen e deritanishme të institucioneve ndaj sportit në Kosovë, duke thënë se ai po shfrytëzohet më shumë për propagandë sesa për zhvillim të qëndrueshëm.
Në një postim në Facebook, Mulaj ka theksuar se edhe 26 vjet pas luftës, sporti vazhdon të mbetet në fund të listës së prioriteteve shtetërore, pavarësisht suksesit të sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
“Sporteistët tanë i quajmë ambasadorë të shtetit, por kur vjen puna te investimet konkrete, sporti mbetet në fund të listës”, ka shkruar Mulaj, duke shtuar se përjashtim bën vetëm qendra e xhudos në Pejë.
Sipas tij, Kosova ende nuk ka stadium nacional të futbollit, shumë qytete mungojnë me stadiume moderne, ndërsa nuk ekziston asnjë qendër multifunksionale sportive që do t’u shërbente të rinjve dhe klubeve sportive.
Mulaj ka kritikuar edhe shpërndarjen e fondeve publike për sport, duke thënë se ato janë dhënë pa plan dhe pa transparencë, shpesh në projekte pa standarde dhe pa ndikim real.
“Sporti nuk ndërtohet me inaugurime dhe slogane. Ai kërkon vizion dhe përgjegjësi”, ka theksuar ai, duke shtuar se prioritet i tij do të jetë ndërtimi i infrastrukturës moderne sportive në të gjithë vendin, si dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
Ai ka thënë se, si ish-sportist, do të angazhohet që sporti të mos mbetet vetëm slogan politik, por të shndërrohet në investim real dhe shpresë për brezat e rinj.