Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në Kuvendin e Kosovës, Fadil Aliu, ka vlerësuar tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore si një moment të rëndësishëm për bashkimin dhe vendimmarrjen e qytetarëve.
Përmes një postimi, Aliu ka bërë të ditur se mbrëmë në Prishtinë është përmbyllur fushata elektorale e LDK-së, në një atmosferë që ai e cilësoi si të jashtëzakonshme. Sipas tij, ky tubim shënon një moment kyç për vendin, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe të një vendimi përcaktues për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
“Është momenti i përbashkimit dhe i një vendimi që vulos të ardhmen e vendit”, ka theksuar Aliu, duke ftuar qytetarët që përmes votës së tyre të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.