Qytetarët e Kosovës po marrin pjesë për herë të katërt në procesin zgjedhor, duke iu drejtuar kutive të votimit në kuadër të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare që po mbahen sot.
Këto zgjedhje vijnë pas atyre të 9 shkurtit, kur asnjë subjekt politik nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare, çka e futi vendin në një bllokadë institucionale që zgjati më shumë se nëntë muaj.
Sa i përket Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para mbi pjesëmarrjen e votuesve.

Sipas KQZ-së, deri në orën 13:00, të drejtën e votës e kanë ushtruar 11.07 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Ndër komunat me daljen më të lartë deri më tani, prin Ranillugu, ku kanë votuar 33.28 për qind e qytetarëve. Pas saj renditet Shtërpca me 23.46 për qind, e ndjekur nga Novobërda me 20.89 për qind.
Gjilani zë vendin e katërt për nga pjesëmarrja, me 15.93 për qind të votuesve që kanë hedhur votën, ndërsa në Lipjan pjesëmarrja deri në këtë orë është 15.48 për qind.