Insajderi
Lajme

Kryetari i parlamentit të parë të pasluftës dhe pasardhës i Rugovës-Biografia e Nexhat Dacit

Insajderi
01 January 2026 - 12:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kryetari i parlamentit të parë të pasluftës dhe pasardhës i Rugovës-Biografia e Nexhat Dacit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në moshën 81-vjeçare ka ndërruar jetë Nexhat Daci, një nga figurat më të njohura të jetës akademike dhe politike në Kosovë, i cili la pas një trashëgimi të rëndësishme në fushën e arsimit, shkencës dhe institucioneve shtetërore.

Nexhat Daci lindi në vitin 1944 në fshatin Tenoc, ku përfundoi arsimin fillor. Arsimin e mesëm e kreu në Leskoc, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematikore dhe Natyrore, në Departamentin e Kimisë, në Beograd, në vitin 1966. Rrugëtimin akademik e vazhdoi me studime të avancuara, duke marrë doktoraturën në vitin 1973 në Universitetin e Zagrebit, ndërsa në vitin 1974 realizoi studime postdoktorale në Universitetin e Bradfordit, në Angli.

Karrierën profesionale e nisi herët. Pas përfundimit të studimeve pasuniversitare, në vitin 1968 filloi punën si asistent në Fakultetin Filozofik, në Departamentin e Kimisë. Në vitin 1971 avancoi në pozitën e profesorit dhe për dekada me radhë kontribuoi si ligjërues dhe studiues në Universitetin e Prishtinës, duke dhënë një ndikim të veçantë në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Në vitin 1993 u pranua si anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, duke u radhitur ndër personalitetet më të shquara të botës akademike në vend.

Përveç kontributit në shkencë dhe arsim, Nexhat Daci luajti një rol të rëndësishëm edhe në jetën politike të Kosovës. Ai ishte anëtar i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri në vitin 2011 dhe shërbeu si Kryetar i Kuvendit për dy mandate, nga viti 2000 deri në 2004 dhe nga viti 2004 deri në 2006. Pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, Daci mori përkohësisht detyrën e Presidentit të Kosovës për një periudhë njëmujore.

Pas largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ai themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë, ku mbajti postin e kryetarit të partisë, duke vazhduar angazhimin e tij politik edhe në vitet në vijim.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark