Shkruan: Kenan Gashi
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka publikuar Urdhëresat e reja Tarifore për shërbimet e ujit të pijshëm, ujërave të ndotura, ujit të trajtuar me shumicë dhe ujit të patrajtuar me shumicë, të cilat do të jenë në fuqi për vitin 2026. Këto urdhëresa zbatohen për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU) në Kosovë, si dhe për Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepenc”, sa i përket tarifës së ujit të shitur me shumicë.
Sipas ARRU-së, tarifat e miratuara në kuadër të procesit tarifor 2026–2028 janë ndikuar kryesisht nga rritja e ndjeshme e çmimit të energjisë elektrike, si dhe nga rritja e kostove operative dhe investive, përfshirë mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit. Megjithatë, ky arsyetim nuk shoqërohet me një analizë të detajuar dhe transparente mbi menaxhimin e brendshëm të KRU-ve, nivelin e humbjeve teknike dhe komerciale, si dhe përgjegjësinë institucionale për dështimet e vazhdueshme në ofrimin e shërbimeve cilësore.
ARRU, në vend se të ushtrojë presion real për rritjen e efikasitetit, uljen e humbjeve të ujit dhe përmirësimin e menaxhimit financiar të kompanive rajonale, ka zgjedhur që barrën kryesore ta transferojë te konsumatorët. Kjo qasje ngre shqetësime serioze mbi rolin rregullator të ARRU-së dhe funksionin e saj si mbrojtëse e interesit publik.
Sipas tarifave të reja, fatura mesatare mujore për një konsumator shtëpiak që konsumon rreth 10 m³ ujë do të arrijë në 8.17 euro (pa TVSH) në vitin 2026. Kjo rritje, edhe pse mund të duket e moderuar në shifra, përbën një ngarkesë shtesë për shumë familje, veçanërisht në kushtet e rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës dhe të ardhurave të pamjaftueshme.
Tarifat e reja do të aplikohen duke filluar nga 1 janari 2026, pa u shoqëruar me garanci konkrete për përmirësimin e cilësisë së shërbimit, furnizim të qëndrueshëm me ujë, apo investime të matshme që do të justifikonin rritjen e çmimit. Në këtë kontekst, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës nga ARRU dhe KRU-të mbetet një problem serioz që kërkon trajtim urgjent institucional.