Bota është zgjuar sot me zhvillime dramatike nga Amerika Latine. Sipas deklaratave të fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, forcat amerikane kanë kryer një operacion masiv në Venezuelë, që ka rezultuar me kapjen e presidentit Nicolás Maduro.
Presidenti Trump konfirmoi përmes rrjeteve sociale se Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë kapur dhe janë larguar nga territori i Venezuelës me avionë ushtarakë.
Operacioni filloi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, me shpërthime të fuqishme që tronditën kryeqytetin Caracas dhe zona të tjera strategjike si Miranda dhe Aragua.
Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, në një dalje urgjente televizive, duket se ka konfirmuar mungesën e Maduros duke kërkuar “shenja jete” për presidentin dhe duke e cilësuar operacionin si agresion imperialist. Në Venezuelë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe është bërë thirrje për mobilizim popullor, raporton AP.