Nën organizimin e familjes Berisha dhe Komunës së Pejës është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar jetës dhe veprimtarisë politike e atdhetare të ambasadorit Anton Berisha, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.
Në këtë ngjarje përkujtimore, ish-kryeministri Ramush Haradinaj foli për bashkëpunimin e tij me Berishën në dy periudha të rëndësishme: menjëherë pas luftës, në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, si dhe më vonë, në rolin e tij si ambasador dhe zëvendësministër, me fokus në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike me Perëndimin.
“Arritëm edhe disa rezultate, ndër to ishte edhe vizita në Selinë e Shenjtë, te ati i shenjtë, bashkëbisedimi në atë kohë me sekretarin, kardinalin Parolini, po ashtu një vizitë që pasoi në Kosovë e kardinalit. Një avancim i marrëdhënieve tona deri te identifikimi i një agjende bilaterale në atë kohë, e ndërtuar në tri çështje për të ecë përpara mes nesh dhe Selisë së Shenjtë”, u shpreh Haradinaj.
Ndërkohë, gjatë prezantimit të biografisë së Berishës, miku i tij i ngushtë dhe ish-ambasadori Lulzim Peci foli për angazhimin e hershëm të tij politik, që nga koha e studimeve, përkrah presidentit Ibrahim Rugova, si dhe për kontributin e tij pas luftës.
Ambasadori Sandër Kovaçi nga Shqipëria, mik dhe bashkëpunëtor i Berishës, e cilësoi atë si nxënës të denjë të Ibrahim Rugovës, duke theksuar autoritetin e tij intelektual dhe profilin e një diplomati shembullor.
Në fund, në emër të familjes Berisha, fjalën e mori i biri i ambasadorit të ndjerë, Genc Berisha, i cili falënderoi të pranishmit për respektin dhe nderimin e treguar.
“Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për babain tim, s’do ishte as e lehtë e as e drejtë që unë të flas për të me ton vlerësues, andaj kam zgjedhur që ky fjalim të jetë tërësisht falënderues për të gjithë ju”, tha ai.