Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “KRU Prishtina”, ka publikuar urdhëresën tarifore të shërbimeve të ujit.
“Bazuar në Ligjin Nr. 05/L – 042, ARRU përcakton tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke siguruar që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e KRU’së.
Më tutje në njoftim bëhet e ditur se tarifat do të caktohen për:
Shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura
Furnizimin me ujë të pa-trajtuar me shumicë
Ujin e trajtuar me shumicë.
Në njoftimë është bërë e ditur se si do të llogaritet tarifa.
“Tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka paraqitur kërkesa për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë:
“Shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbimeve të kanalizimit, duke përfshirë rritjen e kostove për personelin dhe energjinë elektrike;
Projekte kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit dhe makinerive ekzistuese, për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet në shërbim;
Investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.
Edhe me tarifat e aprovuara, KRU “Prishtina” mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”.