Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të shiut që kanë përfshirë vendin, gjendja në Kryeqytet mbetet e menaxhueshme, shkruan Insajderi.
Përmes një komunikate për qytetarët, Rama bëri të ditur se ekipet komunale janë në terren pa ndërprerje për të monitoruar situatën dhe për të sanuar problemet e shkaktuara nga uji.
“Ekipet e Kryeqytetit janë vazhdimisht në terren dhe deri tani kanë intervenuar në mbi 40 raste, ndërkohë që situata po monitorohet pa ndërprerje,” ka deklaruar Rama.
Kreu i Prishtinës tha se Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca është në koordinim të plotë me të gjitha shërbimet përkatëse për të parandaluar dëmet më të mëdha.
“Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar,” tha ai, duke siguruar qytetarët se situata aktualisht është nën kontroll.