Insajderi
Botë

Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën

Insajderi
07 January 2026 - 13:34
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Çmimet e naftës vijuan sot rënien, mes frikës për rritje të ofertës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Venezuela do t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara deri në 50 milionë fuçi naftë.

Në një postim dje në platformën e tij Truth Social, Trump tha se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë SHBA-së nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar duke e paraqitur këtë veprim si përfitim për të dyja vendet.

Një fuçi përmban 159 litra.

Kjo sasi është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës të Venezuelës. Nafta do të shitej me çmime tregu dhe të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për të garantuar se do të përdoreshin në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara, sipas Trump.

Një fuçi e naftës Brent të Detit të Veriut për dorëzim në mars u ul sot në mëngjes me 56 cent ose gati 1%, në 60,14 dollarë, pasi çmimi kishte rënë me afro 2% të martën.

Ndërkohë, çmimi i një fuçie të naftës amerikane WTI për dorëzim në shkurt u ul me 73 cent ose 1,3%, në 56,40 dollarë.

Fillimisht ishte e paqartë se për çfarë periudhe kohore do të vihej në dispozicion vëllimi i naftës së papërpunuar i përmendur nga Trump.

Nafta është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave dhe valutës së huaj për Venezuelën.

Udhëheqja e re në Karakas nuk reagoi menjëherë ndaj njoftimit të Trump.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark