Opozita kosovare e ndërtoi gjithë strategjinë mbi një “shpresë fëmijërore se Albin Kurti do të shpallej non-grata” dhe se “Iron Man në formën e Departamentit të Shtetit” do t’ua hapte rrugën drejt pushtetit. Ndërkohë, ajo harroi pyetjen bazë: “si erdhi në pushtet njeriu që po tentojnë ta rrëzojnë me statuse në Facebook?”. Më 28 dhjetor 2025, “dritat e kinemasë u ndezën” dhe mbeti e qartë se pushteti nuk fitohet duke pritur sanksione që nuk erdhën kurrë
Rezultati i 28 dhjetorit 2025 nuk ishte thjesht një humbje elektorale për bllokun opozitar në Kosovë; ishte një përplasje e dhunshme me realitetin për një kastë politike që, siç duket, orët e punës i kalon më shumë në “Marvel Cinematic Universe” sesa në terrenin e ftohtë të Kosovës.
Nëse dikush priste që pas katër viteve në opozitë, PDK, LDK dhe AAK do të reflektonin mbi dështimet e tyre, do të reformoheshin rrënjësisht apo do të ndërtonin një narrativë që i prek nevojat e qytetarëve, u zhgënjye rëndë. Strategjia e tyre e vetme, “Grand Strategy” e tyre, rezultoi të ishte një shpresë fëmijërore se Albin Kurti do të shpallej “non-grata” dhe se Uashingtoni do t’ua pastronte rrugën për në zyrat e pushtetit. Ata pritën që të shfaqet Iron Man në formën e Departamentit të Shtetit dhe me një lëvizje magjike t’i eliminonte të gjitha pengesat e tyre.
Për t’i bërë gjërat edhe më ironike, kjo opozitë që e quan veten e civilizuar dhe pro-perëndimore, dështoi të kuptojë elementaren: si erdhi në pushtet njeriu që po tentojnë ta rrëzojnë me statuse në Facebook?
Ata që sot rrinë në kolltukë të lëkurtë, jo rrallë edhe i rinovojnë zyrat për tu dukur si barnatore, duket se kanë pësuar amnezi kolektive për pamjet e Kuvendit të mbuluar nga tymi i dendur i gazit lotësjellës. Albin Kurti nuk erdhi në zyrën e Kryeministrit duke pritur sanksione nga jashtë për rivalët e tij që iu bërtiste “Hajnat n’burg”- e SHBA-ja po që sanksionon hajna. Ai erdhi duke e kthyer përmbys rendin e atëhershëm me agresivitet.
Ai e bënte jetën parlamentare të pamundur, duke i detyruar deputetët të iknin me shamia në sy. Ai organizonte protesta që shpesh përfundonin në përleshje të dhunshme me policinë, duke thyer xhama e duke rrotulluar makina zyrtare, duke e mbajtur sistemin në një tension të vazhdueshëm organik. Derisa ai dikur përdorte gazin lotësjellës si mjet për të treguar se “ky sistem nuk punon”, opozita e sotme përdor parfumin e zyrave të tyre për të treguar se janë gati për pushtet.
Dallimi është se Kurti e fitoi rrugën me muskuj, kauza ekstreme dhe prani fizike në çdo cep, ndërsa këta të sotmit presin që rruga t’u shtrohet me tapet të kuq nga ndërkombëtarët, pa lëvizur as gishtin për të rrezikuar diçka nga rehatia e tyre.
Derisa stili i jetës së tij ishte, dhe është, 24/7 politikan, opozitarët kosovarë gjejnë kohë edhe për ti ujitur lulet ne penthaus, edhe për ti shkelur bjeshkët e thyer rekorde në hiking, edhe për të u bërë myshteri të rregullt të kafiqave luksoz në rrokaqiejt e Prishtinës.
Analizimi i treshës opozitare shpërfaq një krizë identiteti të thellë.
Lumir Abdixhiku hyri në këtë garë me petkun e intelektualit që ka lexuar të gjithë librat e teorisë politike, por që harroi të lexonte pulsin e popullit. “Rruga e Re” e LDK-së rezultoi të ishte një qark rrethor që të kthente gjithmonë te arroganca elitare që e sheh votuesin e thjeshtë nga lart-poshtë. Ai bëri opozitë me grafikone dhe terma akademikë në studio me ndriçim perfekt, ndërkohë që elektorati priste një lider që u flet konkretisht se si rrëzohet Kurti. Në filmin e tij, ai ishte personazhi që shpjegon teorinë e shpëtimit të botës, por kur vjen puna te beteja, mbetet duke rregulluar kravatën para pasqyrës.
Ramush Haradinaj dhe AAK-ja e lartësuan deri në absurd kultin e ndihmës nga jashtë. Për Haradinajn, politika nuk ishte më garë për vota, por një pritje në paradhomë për një sinjal nga DC. Gatishmëria e tij për të shpallur Kurtin “tradhtar” çdo mëngjes, me shpresën se dikush në Uashington do t’ia vinte veshin, ishte tragjikomike. Ramushi u soll si veterani i filmave që ka mbetur në të kaluarën dhe beson se mjafton të bërtasësh “Amerika” që të hapen dyert e kryeministrisë.
Memli Krasniqi, pasi kuptoi se figura e tij nuk po shiste dot, u tërhoq në prapaskenë për të lënë për herë të dytë Bedri Hamzën si kartën e fundit. PDK-ja u përpoq të luante lojën e teknokratit të mirë. Por votuesi e kuptoi lojën: nuk mund të paketosh të njëjtën mall të vjetër me një ambalazh të ri. Hamza ishte si ajo pajisja teknologjike që duket solide, por punon me një sistem operativ të vjetëruar që bllokohet në momentin e presionit.
Shtylla qendrore ku opozita ka varur të gjitha shpresat është Asociacioni. Ata besojnë verbërisht se ligji NDAA 2026 (National Defense Authorization Act), konkretisht neni 8335, do të përdoret si gijotinë kundër Kurtit. Ky nen autorizon ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për këdo që “pengon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”. Opozita fërkon duart në prapaskenë, duke shpresuar se Uashingtoni do ta cilësojë vonesën e Kurtit si “obstruksion”.
Ky argument është thikë me dy tehe. Brenda të njëjtit kuadër ligjor, ekziston “Mburoja e Sovranitetit”. Kurti ka arritur ta argumentojë se një model i Asociacionit që krijon një “Republikë Srpska” shkel parimin bazë të vetë ligjit amerikan: mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Derisa opozita pret sanksionet, Kurti po përdor vetë gjuhën e ligjit amerikan për të mbrojtur pozicionin e tij, duke e lënë opozitën të duket si një grup që lutet për sanksione kundër kryeministrit të tyre, ndërkohë që ai luan lojën e rezistencës kushtetuese.
Aty ku dëshpërimi i opozitës takon absurdin është leximi i raporteve me SHBA-në. Gjatë gjithë vitit 2025, ata i ekzaltuan komunikatat e ashpra të Ambasadës Amerikane si prova të fundit të Kurtit. Por, realiteti në terren u dha një shuplakë teknike. Pavarësisht shuplakave diplomatike, procedura e Foreign Military Sales (FMS) nuk u ndal asnjëherë. Në mes të krizës, Kosova finalizoi pranimin e sistemeve FGM-148 Javelin, me rreze deri në 4,000 metra, dhe filloi prokurimin e sistemeve kundërajrore VSHORAD.
SHBA mund ta kritikojë Kurtit me fjalë, por vazhdon ta armatosë shtetin me vepra. Pentagoni e sheh Kosovën si partner strategjik sigurie, pavarësisht nëse opozitës i pëlqen kryeministri apo jo. Ndërsa opozita shihte ëndrra me sanksione, në portin e Durrësit zbrisnin kontingjentet e raketave amerikane për ushtrinë nën qeverisjen e Kurtit.
Gabimi më tragjik i opozitës është besimi se SHBA-ja do të na shpëtojë nga autokracia e mundshme e Kurtit. Historia gjeopolitike aështë e mbushur me raste ku SHBA-ja ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me autokratë, për sa kohë ata kanë qenë të parashikueshëm.
Egjipti nën Hosni Mubarak: Për dekada me radhë, Egjipti ka qenë një nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake amerikane (rreth 1.3 miliard dollarë në vit).
Pavarësisht raporteve të vazhdueshme për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, burgosje të opozitës dhe mungesë të zgjedhjeve të lira, Uashingtoni e ka konsideruar regjimin në Kajro si gur themel” të stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe garantues të Marrëveshjes së Paqes me Izraelin.
SHBA-ja pranon një “dorë të fortë” nëse ajo dorë mban hapur Kanalin e Suezit dhe lufton terrorizmin, pavarësisht se sa lëngon demokracia e brendshme.
Filipinet nën Ferdinand Marcos: Gjatë Luftës së Ftohtë, Ferdinand Marcos ishte një autokrat klasik që shpalli ligjin ushtarak dhe shtypi çdo zë kundërshtar. Presidenti Ronald Reagan e quante atë një “mik të ngushtë”, kryesisht për shkak të bazave strategjike detare dhe ajrore amerikane në Filipine (Subic Bay dhe Clark Air Base). Edhe në rastin e Rodrigo Duterte-s, pavarësisht kritikave për “luftën kundër drogës” që la mijëra të vdekur pa gjyq, Pentagoni vazhdoi shitjet e armëve dhe stërvitjet e përbashkëta për të frenuar ndikimin e Kinës. Kur bëhet fjalë për pozicionim gjeostrategjik kundër rivalëve të mëdhenj, Uashingtoni shpesh mbyll sytë para metodave autokratike të brendshme.
Koreja e Jugut nën Park Chung-hee: Para se të bëhej demokracia që njohim sot, Koreja e Jugut u qeveris për 18 vite nga gjenerali Park Chung-hee, i cili erdhi në pushtet me grusht shteti. Ai pezulloi kushtetutën dhe ishte një autokrat i pamëshirshëm, por në të njëjtën kohë ishte arkitekti i zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe një aleat i pathyeshëm ushtarak kundër komunizmit. SHBA-ja e mbështeti masivisht me fonde dhe mbrojtje ushtarake, sepse Park ishte efika dhe i parashikueshëm në rrafshin e sigurisë globale.
Efikasiteti në siguri dhe ekonomi shpesh peshon më rëndë në balancën e fuqisë amerikane sesa procedurat demokratike parlamentare.
Por, kemi edhe shembuj shumë më afër e më të freskët.
Për tri dekada, Milo Gjukanoviçi sundoi Malin e Zi me një dorë të fortë, i akuzuar vazhdimisht për korrupsion galopant dhe kapje të shtetit. Megjithatë, për sa kohë ai e nxori vendin nga orbita ruse dhe e futi në NATO, Uashingtoni e trajtoi si një partner të pazëvendësueshëm, duke i injoruar klithmat e opozitës malazeze për demokraci.
Edhe sot, përkundër kontrollit absolut mbi mediat dhe proceset zgjedhore, Aleksandër Vuçiç në Serbi mbetet njeriu me të cilin Perëndimi negocion. Për SHBA-në, stabiliteti rajonal dhe largimi i Serbisë nga ndikimi kinez/rus peshon më shumë sesa fakti që opozita në Beograd nuk ka hapësirë televizive.
Një rast tjetër ku stabiliteti i një aleati të palëkundur në NATO e ka bërë Uashingtonin të jetë shumë fleksibil ndaj kritikave për autokraci apo korrupsion sistematik ndaj Edi Ramës në Shqipëri. Për sa kohë Shqipëria është një port i sigurt për interesat amerikane, problemet e brendshme mbeten “probleme të shqiptarëve”.
Për Uashingtonin, për sa kohë Kosova blen raketa dhe mban stabilitetin, mënyra se si Kurti qeveris shtëpinë e tij është problem që u takon kosovarëve ta zgjidhin. Amerika nuk po vjen të bëjë grushtshtet për hir të një opozite të paaftë.
Skena e fundit e kësaj drame politike ngjan me finalen e Avengers: Endgame. Opozita jonë, kishte pritur që skena ku Thanos shfaqet me dorezën e krejt gurtë dhe i bën gati gishtat për ti kërcitur e ta zhduk 50 % të popullatës, si te ajo skenë, do të shfaqej Iron Man dhe do tia ndalt në fyt Kurtit fjalinë “Unë jam i pashmangshmi”, me fjalinë “Unë jam amerika, e ti je në Listë të Zezë”, pasi që t’ia ketë vjedhur gurtë. Ajo është veç skenë filmi me kamera.
Por, në momentin kritik të 28 dhjetorit, kur gishtat u kërcitën, nuk ndodhi asgjë. Kurti, ashtu si Thanos në filmin paraprak i kishte gurtë në dorëz pa e kuptuar ata fare. Çkllap, dhe 50 % të votave i mori, derisa opozita shihte dorezën e saj të zbrazët të sanksioneve që nuk erdhën kurrë.
Më 28 dhjetor 2025, dritat e kinemasë u ndezën. Opozitarët mbetën të ulur në karriget e tyre, të pluhurosur nga humbja. Iron Man-i i vërtetë nuk erdhi nga Uashingtoni për t’i shpëtuar ata.
Amerika nën Donald Trump është e paparashikueshme. Edhe mund ta sanksionoi Albin Kurtin. E pamundura tash është e mundur, por kjo e pamundur që mund të kthehet në mundësi, nuk duhet të jetë e vetmja rrugë e opozitës së Kurti.
Ose ata do të mbesin si ajo historia e të uriturit që ndiqte dashin nga mbrapa mos po i binin ato. Nuk i ranë. Shkoi në gjumë i uritur. Kjo pasi që dashit nuk i bien pa e therur. E pastaj mund të bëhet delikatesë që pak kuzhinierë dinë se si ta gatuajnë.
Albin Kurti nuk është më i miri. Në fakt bash e kundërta: më i keqi prej krejt politikanëve që ka Republika. Por, opozita duhet ta lë shikimin nga qielli, e ti kthej sytë kah toka. Dihet: u janë lodhur meshkujt, e megjithatë nëse e duan pushtetin, që po lënë shumë për të dyshuar a e duan a jo, duhet që të punojnë për rrëzimin e Kurtit pa Amerikën. Vet. Ose dorë për dore me njëri-tjetrin. “Nalni telefonat se ju kuqen sytë”.