Sipas mediave italiane, Juventusi ka nisur konkretisht kërkimin për një sulmues qendre me fizik të fortë dhe profil dominues, një kërkesë e drejtpërdrejtë e trajnerit Luciano Spalletti për merkaton e janarit. Në këtë kuadër, klubi bardhezi ka hapur kontaktet me përfaqësuesit e sulmuesit të Napolit, Lorenzo Lucca.
Paralelisht, Juventusi ka angazhuar edhe rrjetin e skautëve për të ndjekur nga afër sulmuesin e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, i cili po vëzhgohet në ndeshjet e fundit të ekipit anglez.
Afrimi i një sulmuesi të ri konsiderohet prioritet absolut për Spallettin, sidomos në kushtet kur Dusan Vlahovic vijon të jetë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi afatgjatë. Ndërkohë, Jonathan David dhe Lois Openda, kur janë aktivizuar në rolin e sulmuesit kryesor, nuk kanë arritur ta bindin plotësisht stafin teknik.
Juventusi është lidhur gjithashtu me një rikthim sensacional të Federico Chiesa-s, vetëm 18 muaj pas largimit të tij nga klubi, por raportimet e fundit sugjerojnë se drejtuesit po kërkojnë mbi të gjitha një sulmues më fizik, që të dominojë në qendër të sulmit.
Lorenzo Lucca, nga ana tjetër, nuk po gjen hapësira te Napoli dhe kjo situatë pritet të mos ndryshojë, sidomos pas rikthimit të Romelu Lukaku-t në formë të plotë. Sulmuesi italian ishte transferuar fillimisht si zëvendësues i belgut, por pas dëmtimit afatgjatë të Lukaku gjatë verës, Napoli afroi edhe Rasmus Hojlund, duke ia reduktuar edhe më shumë minutat Lucca-s.
Kjo e bën sulmuesin të hapur për një largim nga Napoli vetëm pak muaj pasi ishte huazuar me detyrim blerjeje për rreth 35 milionë euro. Për momentin, kjo lëvizje përshkruhet si një “mundësi” për Juventusin dhe jo si një opsion i konfirmuar.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Tuttosport, Juventusi ka dërguar skautë për të ndjekur Jean-Philippe Mateta-n e Crystal Palace. Klubi italian kishte shfaqur interes edhe gjatë merkatos së verës, por ishte tërhequr për shkak të çmimit të lartë, rreth 40 milionë euro.
Sipas Calciomercato, situata mund të ndryshojë, pasi çmimi i Mateta-s pritet të bjerë në 20–25 milionë euro. Kontrata e tij me Crystal Palace skadon në verën e vitit 2027 dhe sulmuesi francez aktualisht nuk duket i interesuar për rinovim, çka e bën atë një alternativë shumë tërheqëse për Juventusin për merkaton e dimrit.