Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një imazh në platformën e tij Truth Social ku e prezanton veten si “Presidenti në detyrë i Venezuelës”.
Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit në Karakas, i cili përfundoi me kapjen e ish-udhëheqësit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Në postimin e bërë të dielën, Trump e listoi titullin e tij si në fuqi nga janari i vitit 2026.
Ky akt përforcon qëllimin e deklaruar të administratës së tij për të marrë në dorë drejtimin e vendit gjatë një periudhe kalimtare, pavarësisht se pas operacionit zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez u betua si presidente e përkohshme në Venezuelë.
Ndërkohë, Nicolás Maduro dhe Cilia Flores ndodhen në SHBA, ku përballen me akuza për trafik droge dhe armësh në një gjykatë të Nju Jorkut.
Administrata Trump ka konfirmuar zyrtarisht synimin për të “drejtuar” Venezuelën dhe asetet e saj jetësore të naftës gjatë këtij tranzicioni politik.