Organizata vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjitha vendvotimet në Kosovë, duke vlerësuar se procesi aktual i numërimit ka pasur mangësi serioze që cenojnë besueshmërinë e rezultateve zgjedhore.
Sipas DnV-së, gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i vetëm 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve kanë nxjerrë në pah dallime substanciale, të cilat nuk mund të konsiderohen si gabime të izoluara njerëzore, por si probleme serioze strukturore në procesin e numërimit, shkruan Insajderi.
“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, thuhet në reagim.
KQZ-ja ka vendosur sot që të rinumërojë 10% të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, si dhe 100% të vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i theksuar i rezultateve: Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug. Këto masa përfshijnë rreth 36% të vendvotimeve në Kosovë.
Megjithatë, DnV vlerëson se ky vendim është i pamjaftueshëm dhe paralajmëron se rinumërimi i vetëm një të tretës së vendvotimeve mund të prodhojë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim, duke e vonuar edhe më tej procesin zgjedhor.
“Rinumërimi i plotë i votave të kandidatëve në të gjithë vendin është i domosdoshëm për të garantuar kredibilitetin e procesit dhe për të ruajtur besimin e publikut në rezultatet zgjedhore,” thuhet në reagimin e DnV-së.
Po ashtu, organizata ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimet për të gjitha rastet ku ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit. /Insajderi.org/