Insajderi
Botë

Vëllezëria Myslimane – Motivacionet e vendimit të Trump dhe çfarë tregon për të ardhmen e islamit politik

Insajderi
13 January 2026 - 22:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vëllezëria Myslimane – Motivacionet e vendimit të Trump dhe çfarë tregon për të ardhmen e islamit politik
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Autor: Qendra Europiane për Studime mbi Luftën Kundër Terrorizmit dhe Inteligjencën – Gjermani dhe Holandë.

Përktheu nga Arabishtja: Zyhdi Hajzeri – Jurist

Vendimi i presidentit amerikan Trump për klasifikimin e grupit Vëllezërit Myslimanë në Egjipt, Jordan dhe Liban si organizata terroriste vjen në një kohë shumë të ndjeshme. Lindja e Mesme po përjeton tension që nga 7 tetori 2023, dhe pavarësisht marrëveshjeve për qetësimin e situatës, mundësitë për rikthim të luftës mes Izraelit dhe Hezbollah-ut libanez nga njëra anë, dhe Izraelit dhe Hamas-it palestinez nga ana tjetër, mbeten të pranishme. Po ashtu, marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit po bëhen më të ndërlikuara pas rivendosjes së mekanizmit të sanksioneve dhe njoftimit të Iranit për përfundimin e marrëveshjes bërthamore. Kjo do të thotë se vendimi amerikan nuk mund të ndahet nga zhvillimet gjeopolitike dhe politikat e Trump në Lindjen e Mesme.

Motivimet politike të vendimit
Mbështetja e politikave të Trump në Lindjen e Mesme: Prioritetet e presidentit Donald Trump në mandat të tij të dytë ishin pengimi i Iranit, lufta kundër rrjeteve terroriste dhe zgjerimi i bashkëpunimit me partnerët e SHBA. Edhe pse Lindja e Mesme nuk mori vëmendjen fillestare të tij, përshkallëzimi i situatës e detyroi të rregullojë politikat e tij, sidomos me aleatët. Pas goditjes së Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamas në Doha më 9 shtator 2025, strategjia e Uashingtonit ndaj Lindjes së Mesme u bë jo tradicionale dhe e paparashikueshme, duke reflektuar mbështetjen e pakushtëzuar për Tel Avivin.

Trump vizitoi Lindjen e Mesme në maj 2025, duke përfshirë Emiratet, Arabinë Saudite dhe Katarin. Kjo vizitë shënoi një ndryshim të madh në diplomacinë e Uashingtonit ndaj aleatëve, dhe ai u takua në Riad me presidentin sirian Ahmed Shara, çka çoi në heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë dhe rikthimin e marrëdhënieve me SHBA. Kjo u përkthye më pas në një vizitë zyrtare të Shara në Uashington më 9 nëntor 2025, përfunduar me marrëveshje për bashkëpunim në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS dhe diskutimin e zbatimit të marrëveshjes së sigurisë me Izraelin.

Çështja e konfliktit izraelito-palestinez, veçanërisht përshkallëzimi në Gaza, mbetet pika më e dobët e politikave të Trump në Lindjen e Mesme, pasi deklaratat e zyrtarëve të administratës së tij largohen nga zgjidhja me dy shtete, duke minuar interesat afatgjata të sigurisë amerikane. Trump në janar 2025 theksoi nevojën për përfundimin e luftës në Gaza, dhe me marrjen e detyrës nisi një armëpushim më 19 janar 2025, por marrëveshja u shemb më 19 mars 2025 me nisjen e një fushate ushtarake të gjerë nga Izraeli. Uashingtoni tërhoqi ndërmjetësimin më 25 korrik 2025, duke justifikuar se Hamas nuk dëshiron marrëveshje. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi Uashington tre herë në gjashtë muaj, dhe gjatë vizitës së tij të fundit në korrik 2025, Trump kuptoi se vazhdimi i luftës në Gaza pengonte planin e tij të paqes dhe e vendoste në një situatë globale të ndërlikuar, gjë që e shtyu të propozojë një plan armëpushimi, ndryshe nga plani i “shkëputjes me forcë” më 5 shkurt 2025, i refuzuar nga arabët.

Më 29 shtator 2025, Trump prezantoi një plan për përfundimin e luftës në Gaza, që përfshinte ndalimin e luftimeve, dorëzimin e pengjeve, kthimin e Gazës në një zonë pa ekstremizëm dhe pa kërcënim për shtetet fqinje, demilitarizimin e Hamas, fillimin e rindërtimit dhe dërgimin e ndihmave humanitare. Menjëherë, zyra qendrore e Vëllezërve Myslimanë më 1 tetor 2025 refuzoi planin, duke e konsideruar atë një plan dorëzimi dhe kërcënim për sigurinë rajonale. Presidenti amerikan nënshkroi më 13 tetor 2025 një dokument gjithëpërfshirës për marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamas, me presidentët e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë në Sharm El-Sheikh, për të theksuar mbështetjen amerikane për paqe dhe luftë kundër ekstremizmit.

Trump gjithashtu forcoi politikën e presionit maksimal ndaj Iranit para luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit. Administrata e tij zhvilloi negociata me Teheranin në prill dhe maj 2025 për të penguar përpjekjet e Iranit për armë bërthamore dhe ndihmën ndaj përfaqësuesve rajonalë. SHBA mbështeti Izraelin në goditjen e infrastrukturës bërthamore më 22 qershor 2025. Grupi i Vëllezërve Myslimanë, veçanërisht Degës së Londrës, lëshoi një deklaratë titulluar “Mesazh për Udhëheqësin Suprem iranian”, duke shprehur mbështetje për Iranin kundër Izraelit. Prandaj, Uashingtoni sheh Iranin dhe grupet e islamit politik si pjesë e rrjetit kundër sigurisë amerikane dhe rajonale.

Forcimi i retorikës populiste: Deklarata e Shtëpisë së Bardhë më 24 nëntor 2025 për klasifikimin e degëve të Vëllezërve Myslimanë si “organizata terroriste të huaja” për të mbrojtur sigurinë kombëtare amerikane, përputhet me fjalimet e Trump dhe ligjvënësve republikanë gjatë mandateve të tij, duke u bazuar në retorikën populiste për të fituar bazën elektorale konservatore që shqetësohet për ngritjen e islamit politik. Trump më 2017 kishte lëshuar një urdhër ekzekutiv për të ndaluar hyrjen e shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Më 30 prill 2025, Shtëpia e Bardhë njoftoi për konsultime mbi klasifikimin e Vëllezërve Myslimanë si “organizatë terroriste”, duke imponuar sanksione ndaj lëvizjes më të vjetër islamike në Egjipt.

Republikanë dhe zëra të djathtë mbështetën këtë hap. Që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump, janë rritur zërat në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë për të futur Vëllezërit Myslimanë dhe organizatën CARE në listat e “grupeve terroriste” në nivel federal. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio më 12 gusht 2025 deklaroi se administrata punonte për klasifikimin e Vëllezërve Myslimanë si “organizatë terroriste”, por procesi federal pengohej nga kërkesat ligjore që kërkonin prova të qarta për gjykatën.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, më 19 nëntor 2025, miratoi një vendim që klasifikon Vëllezërit Myslimanë dhe Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike si “grupe terroriste të huaja dhe organizata kriminale ndërkufitare”. Vendimi ndalon blerjen dhe shitjen e tokave nga këto organizata, lejon prokurorin e shtetit të ndërmarrë veprime për mbylljen e tyre dhe vendosjen e gjobave për të përfshirët në marrëdhënie me ta. Abbott, aleat republikan i Trump, theksoi mbështetjen e Vëllezërve Myslimanë për Hamas, të përfshirë në listën e terrorit të Departamentit të Shtetit, duke akuzuar këshillin si degë e Vëllezërve Myslimanë dhe si fasadë e Hamas në SHBA.

Ligji amerikan për klasifikimin e ndonjë grupi si organizatë terroriste kërkon që organizata të mos jetë amerikane, të lidhet me aktivitete terroriste ose të ketë aftësinë për kryerje të veprimeve terroriste, dhe këto veprime të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe qytetarët amerikanë. Vendimi në Kongres kërkon që sekretari i Shtetit të vërtetojë për anëtarët se grupi plotëson kriteret e nevojshme. Drejtori i luftës kundër terrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Sebastian Gorka, më 1 dhjetor 2025 tha se SHBA po klasifikon degët e Vëllezërve Myslimanë një nga një, për t’u siguruar që ky klasifikim të qëndrojë përballë sfidave ligjore.

Pasojat rajonale më të gjera të vendimit
Vendimi për klasifikimin e Vëllezërve Myslimanë si organizatë terroriste riformëson hartën e islamit politik. Edhe pse administrata e Trump mund të synojë Vëllezërit Myslimanë me urdhër ekzekutiv të ri, ajo mund të trajtojë aktivitetet e mbështetjes dhe financimit të terrorizmit sipas ligjeve ekzistuese. Nëse grupi klasifikohet si terrorist, ai do të bëhet objekt i sanksioneve amerikane, duke përfshirë ndalimin e udhëtimit, kufizime ligjore, ndalimin e financimit të aktiviteteve brenda dhe jashtë SHBA, dhe ndalimin e hyrjes së anëtarëve në vend. Ndalimi i grupit në shumë vende arabe dhe të Gjirit nuk i ndaloi aktivitetet apo financimet e jashtme, por me klasifikimin amerikan si “organizata terroriste”, mbyllja dhe ndalimi në vendet arabe bëhet më i lehtë duke marrë mbulim ndërkombëtar. Vendimi është gjithashtu mesazh politik amerikan për forcimin e retorikës populiste kundër islamit politik dhe ushtron presion mbi politikanët për të rishikuar marrëdhëniet me organizatat e lidhura me grupin, që mund të shkaktojë tension në disa vende që e trajtojnë grupin si pjesë të sistemit politik.

Institucione të inteligjencës paralajmërojnë se strategjia e Vëllezërve Myslimanë mund të kthehet drejt aktiviteteve jashtë ligjit dhe përdorimit të dhunës dhe ekstremizmit për të mbijetuar nën kufizimet e pritura. Sidomos pas klasifikimit të grupit si terrorist nga Egjipti më 26 dhjetor 2013, vendi përjetoi një valë sulmesh terroriste nga grupi dhe organizata të tij satelite. Kjo i vendos Vëllezërit Myslimanë nën përgjegjësi ligjore, rrit izolimin ndërkombëtar, hap hetime ndërkombëtare mbi aktivitetet dhe financat e tij, dhe imponon mbikëqyrje strikte mbi entitetet e tij.

Mbështetja e projekteve rajonale kundër grupit
Shtetet arabe përdorin vendimin e Trump për të zbatuar politikat e tyre kundër Vëllezërve Myslimanë. Që nga 3 korriku 2013, Egjipti ka vendosur gjendje emergjente për trajtimin e grupit, duke nisur arrestime masive të liderëve dhe rritje të ndëshkimeve për anëtarësim. Egjipti ngrirë asete dhe mbylli institucione të lidhura me grupin gjatë viteve 2013–2014. Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, krah politik i grupit, u shpërbë në gusht 2014. Gjatë periudhës 2019–2025 u imponuan kufizime gjyqësore dhe administrative mbi aktivitetet e grupit. Emiratet e Bashkuara Arabe e klasifikuan grupin si terrorist më 15 nëntor 2014, duke ngrirë fonde dhe pasuri të lidhura. Gjatë viteve 2019–2020 morën hapa për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke aplikuar rregullat AML/CFT, dhe shtuan entitete në listat e terrorit më 8 janar 2025.

Evropa përdor gjithashtu vendimin si mbulim politik për të ashpërsuar kontrollin. Më 21 maj 2025, presidenti francez Emmanuel Macron diskutoi raport qeveritar që klasifikon grupin si kërcënim për kohezionin shoqëror. Më 8 korrik 2025, Franca vendosi sanksione financiare dhe administrative ndaj të përfshirëve me grupin. Komiteti i Çështjeve të Brendshme në Bundestagun gjerman më 31 janar 2025 diskutoi një propozim për ndalimin e grupit në Gjermani. Që nga 2021, Austria ka zgjeruar kufizimet mbi aktivitetet e rrjeteve të Vëllezërve Myslimanë dhe emërimin e imamëve në xhami. Belgjika gjatë 2024–2025 diskutoi rritjen e kompetencave të qeverisë për ndalimin e organizatave që kërcënojnë rendin kushtetues. Inteligjenca holandeze paralajmëroi në 2024–2025 për elementë të grupit dhe ndaloi folës të huaj në ngjarje që supozohet të promovojnë ide ekstreme.

Vëllazëria Myslimane — Si ndikon grupi në shoqëritë evropiane?
E ardhmja e grupit pas vendimit
Grupi konsiderohet një nga degët më të fuqishme të islamit politik në Evropë, për shkak të pranishmërisë në shoqata, institucione joqeveritare, qendra edukative dhe xhami, gjë që e vështirëson gjurmimin e tij pasi nuk ka formë të vetme organizative, por është shpërndarë në institucione fetare, shoqërore dhe kulturore. Më 29 korrik 2025, një deputet evropian kërkoi nga Këshilli i Bashkimit Evropian të shqyrtojë përfshirjen e entiteteve të lidhura me Vëllezërit në listën e organizatave terroriste. Ky propozim është i pazakontë në institucionet e BE, duke treguar se aktivitetet e grupit në Evropë do të jenë nën mbikëqyrje më të rreptë pas vendimit të Trump.

Struktura joqendrore e Vëllezërve Myslimanë në Evropë e vështirëson zbatimin e kufizimeve të përbashkëta në nivel kontinental, duke bërë ligjet kombëtare të secilit vend rrugën ligjore për ndalimin e grupit. Pritet rritje e mbikëqyrjes në vende si Franca dhe Austria për ndalimin e institucioneve lokale, ngrirjen e aseteve dhe vendosjen e kufizimeve të financimit, bazuar në raportime të fundit qeveritare dhe inteligjence. Këto hapa do të nxisin vende të tjera si Britania, Belgjika, Holanda dhe Gjermania të fillojnë raportime inteligjente mbi rrezikun e grupit në shoqëri dhe organizata joqeveritare, duke përforcuar shkëmbimin e informacionit mbi lëvizjen e anëtarëve dhe mbikëqyrjen e financave të institucioneve që punojnë me ta.

Situata e grupit do të ndikohet më shumë në Lindjen e Mesme sesa në Evropë, pasi përballet me ndarje të brendshme mes Degës së Londrës dhe Stambollit, si dhe mbikëqyrje të rreptë në Egjipt, Jordan dhe Emiratet, gjë që rrit masat gjyqësore dhe administrative, ndjekjen e rrjeteve të lidhura, ngrirjen e burimeve financiare dhe përjashtimin e figurave të lidhura nga aktiviteti politik. Kjo mund të çojë në dobësim politik dhe shoqëror, si dhe në konflikte të brendshme mes opsionit të tërheqjes pa konfrontim dhe përshkallëzimit. Gradualisht, aftësia e grupit për pozicionim rajonal dhe ndërkombëtar do të dobësohet, veçanërisht pasi disa degë mund të përdorin aktivitet sekret ose dhunë si mjet mbijetese, duke rritur masat e sigurisë kundër tij.

Vlerësim dhe parashikim
– Vendimi i Trump për ndalimin e degëve të Vëllezërve Myslimanë lidhet me përshkallëzimin në Lindjen e Mesme dhe dëshirën për demilitarizimin e Hamas dhe Hezbollah, sidomos pasi raportet e inteligjencës amerikane treguan lidhje mes grupit dhe Hamas, si dhe kanale direkte mes Iranit dhe grupit. Ky qasje nuk është e re për republikanët dhe Trump, i cili kishte tentuar një hap të ngjashëm gjatë mandatit të tij të parë në 2016, por u përball me kundërshti të brendshme.

– Vendimi i Trump dërgon katër mesazhe: i pari për aleatët në Lindjen e Mesme, duke treguar se riformësimi i rajonit nuk kërcënon sigurinë e tyre dhe grupi nuk është pjesë e ekuilibrit politik. I dyti për Izraelin, për të siguruar zbatimin e planit të paqes dhe për të parandaluar Hamas të ripërshtatet. I treti për grupet e islamit politik, duke treguar se presioni është strategjia e tanishme dhe tërheqja nga skena politike ndërkombëtare është opsioni i vetëm. I katërti për Iranin, duke treguar se përfaqësuesit e tij në rajon nuk do të jenë më një mjet presioni.

– Vendimi për ndalimin e degëve të Vëllezërve Myslimanë është një pikë vendimtare në historinë e tyre. Marrëdhënia me SHBA nuk ka qenë kurrë konfrontuese, duke krijuar pasiguri për grupin për shkak të ndarjeve të brendshme, duke e shtyrë të kërkojë mbështetje politike dhe financiare jashtë vendit, me mundësi zgjerimi të vendimit në nivel federal. Grupi mund të përdorë mënyra të reja për përhapje në vendet perëndimore, pasi organizata si CARE janë tashmë nën mbikëqyrje pas klasifikimit si terroriste në Teksas.

– Veprimi amerikan në Evropë vendos grupin në një situatë të vështirë përballë opinionit publik, pasi klasifikimi si organizatë terroriste kërkon standarde të caktuara dhe ekziston marrëdhënie bashkëpunimi mes disa partive të majta dhe të djathta me grupin, gjë që kërkon nga partitë dhe qeveritë evropiane të rishikojnë marrëdhëniet dhe të ashpërsojnë kontrollin mbi aktivitetet e grupit.

– Pritet që vendet e BE si Franca, Austria dhe Britania të miratojnë legjislacion dhe masa për kufizimin e aktiviteteve dhe financimit të Vëllezërve Myslimanë, gjë që mund të ndikojë në vendet e tjera të unionit, duke çuar në rritje të mbikëqyrjes dhe kufizimeve.

– Vendimi i Trump i shërben vendeve të Lindjes së Mesme që kanë ndërmarrë hapa seriozë për ndalimin dhe bllokimin e financave të grupit, të cilat më parë janë kritikuar nga shtetet perëndimore dhe organizatat e të drejtave. Pas vendimit amerikan, vizionet e Washingtonit dhe aleatëve rajonalë afrohen, duke rritur koordinimin për ndjekjen e grupit dhe ashpërsimin e masave në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark