Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se seanca e ardhshme gjyqësore për rastin e njohur si “Banjska” do të mbahet më 16 janar 2026, në përputhje me planifikimin e mëhershëm.
Procesi fillimisht drejtohej nga gjykatësi Arben Hoti, në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues. Megjithatë, pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit, lënda do të vazhdojë të trajtohet nga një gjyqtar tjetër, për të cilin Gjykata ende nuk ka bërë publik emrin.
Në këtë çështje, Gjykata Themelore i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për një opinion juridik, pas kërkesës së prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhdonte në mungesë. Kërkesa kishte të bënte me interpretimin e nenit 303, paragrafi 7, të Kodit të Procedurës Penale. Megjithatë, Gjykata Supreme kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike lidhur me dilemat procedurale të shkallës së parë gjatë zhvillimit të rasteve konkrete.
Si rrjedhojë, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim për refuzimin e propozimit që gjykimi ndaj 42 të akuzuarve të tjerë-41 persona fizikë dhe një person juridik-të zhvillohej në mungesë. Këta të pandehur akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë. Gjykata ka bërë të ditur gjithashtu se për ta janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare dhe se pritet arrestimi dhe ekstradimi i tyre për vazhdimin e procedurës penale.