Insajderi
Op-Ed

Adil Olluri: Në kohë krizash urtësia është virtyt që shmanget nga sheshet

Insajderi
17 January 2026 - 16:55
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Adil Olluri: Në kohë krizash urtësia është virtyt që shmanget nga sheshet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

U

Urtësia është një virtyt. Bashkë me dashurinë mendoj se janë ndër virtytet më të rëndësishme që mund t’i ketë njeriu. Por, në kohë krizash urtësia është virtyt që shmanget nga sheshet dhe futet skutave e oazave, për t’i “takuar” të paktit, ata që mund t’i quanim shtegtarë që urrehen nga turma e mujsharëve, vetëm pse nuk ecin nëpër rrugët e shtruara nga këta të fundit.
Të jesh i urtë për mendimin tim do të thotë të jesh jo vetëm i dijshëm, por edhe i dinjitetshëm e i njerëzishëm në raport me njerëzit me të cilët përballësh sot dhe mund të përballesh nesër. Të jesh i urtë do të thotë ta duash e ta çmosh tjetrin. Dija pa dashuri mund të jetë po aq e dëmshme sa mosdija. Këtë na e mëson historia e përbotshme, ku shumë prej tiranëve kanë qenë të dijshëm, por nuk kanë qenë të njerëzishëm, pra të urtë.

L

Leximi është rruga më e drejtë për të ecur drejt dijes. H. L. Borghes thoshte se “më shumë krenohem me atë që kam lexuar, sesa me atë që kam shkruar”. Duke u përpjekur që ta bëj timen këtë krenari të argjentinasit të madh, çdo ditë shoqërohem me këtë “ves të padobishëm”, siç do ta cilësonin ata që secilin veprim e masin me përfitimet e çastit. Vullnetin për lexim e kam të nxitur nga gjyshi im, ndjesë pastë. Si i vogël e shihja me libra e letra në dorë, të cilave nuk iu nda deri në frymën e fundit. Këtë virtyt, më të cilin më “infektoi” edhe mua, ai kishte të trashëguar nga gjyshi i tij. Edhe pse lexonim libra e literaturë të ndryshme, të kundërta në mesazhet e tyre, pasionin për lexim e kishim të njëjtë.
Një njeri që lexon është më afër kulturës dhe respektit për vlerat njerëzore. Një njeri që lexon, në kohë krizash intelektuale e sociale, çfarë ngjanë sot në Kosovë, u ngjallë habi masave. Në shoqëritë post-traumatike, çfarë është e jona, një njeri që lexon nuk çmohet edhe aq, po nuk që “i zoti” të flas shumë, të imponohet me fjalë e jo me cilësinë e leximeve dhe të mendimeve të shkruara në letër. Këtë do ta cilësoja edhe si krizë morale, ku çdo ditë shohim devalvim të vlerave kulturore e intelektuale, të cilat një shoqëri e pjekur synon t’i ketë.
Tek po ecja pranë godinës së një fakulteti të Universitetit të Prishtinës e pashë një slogan të një organizate studentore, ku shkruante “Në Universitet- dijen, në jetë-suksesin”. Është për të vënë kujën se si kemi arritur në këtë ditë, ku dija më nuk konsiderohet sukses. Është për t’u vajtuar ditë e natë kur një fjalë e tillë shkruhet nga studentët, nga të rinjtë që do të duhej të ishin bartës të ndryshimeve.
Leximi është pasion kulturor për njohje e jo profesion i disa njerëzve të caktuar, dhe si i tillë duhet të ekzistojë. Por, në këtë kohë të devalvimit të çdo gjëje serioze, shpeshherë ngjanë që të mos lexojnë edhe ata që profesionin e kanë të ndërlidhur pazgjidhshmërisht me leximin, siç janë disa nga profesorët tanë universitarë.

M

Mendimi i arsyeshëm është ai që na bën njerëz. Mendimi i lirë është shenjë e një shoqërie të pjekur. Ne, shkrimtarët e gjeneratës së re, duhet të jemi të lumtur që fillimet dhe vazhdimin e krijimtarisë po e jetësojmë në një kohë që nuk kërkon uniformitet idesh, e në të cilën askush nuk e ka monopolin e të vërtetës. Zaten, kjo është njëra nga të paktat gjëra të mira që i ka të shëndosha shoqëria e sotme kosovare. Por, a e vëmë në praktikë këtë “dhuratë” që e kemi nga liria e fituar? Shpeshherë jo. Nuk është se na detyron kush ta themi atë që “duhet” thënë e jo e atë që “është” për t’u thënë. Jemi vetë ne që e flakim tutje sensin kritik dhe jo rrallëherë dimë të jemi oportunë ndaj të “mëdhenjve”, edhe pse thellë jemi të bindur se mendimet e tyre nuk vlejnë asgjë.
Është për të të ardhur keq se si njerëzit, që do të duhej ta kishin mendimin e tyre, shpeshherë i marrin si kallëp idetë e të tjerëve, pa i gjykuar vetë, pa e pasur as më të voglin sens kritik. Një ditë e takova një zonjëz, që ka rastisur të jetë ligjëruese universiteti. Vinte e buzëqeshur në drejtim timin dhe më përgëzoi për botimin e romanit tim të ri, duke më thënë fjalë të mira për të. Për habinë time, ajo nuk e kishte lexuar fare, por këto vlerësime i jepte në bazë të mendimit të një njeriu me ndikim që e kishte lexuar atë. Ndjeva keqardhje, jo për faktin se ajo nuk ma kishte lexuar romanin, por për mungesën e mendimit të pavarur, që sikurse ajo e kanë shumë vetë, që fatkeqësisht kanë zënë pozicione të mira shoqërore.

I

Intelektualët janë ata që ia shpalojnë shoqërisë format e dijes, ia nxisin mendimin dhe i hapin shtigje në rrugën e saj drejt urtësisë. Vendi ynë, për fat të mirë, ka pasur dhe ka intelektualë, pa çka se shumë të paktë në numër. Megjithatë, një gjë e tillë është për t’u vlerësuar, ngaqë të jesh intelektual në mesin e një shoqërie, siç është e jona, është tejet e vështirë.
Kosova ka një elitë intelektuale që ka bërë gjëra të rëndësishme, që nga vitet e 70-ta e të shekullit të kaluar e deri më tash, por ndaj bindjen se modeli i saj kulturor nuk është më i mjaftueshëm. Kështu që, vendi ynë ka nevojë për një ridimensionim të kësaj elite intelektuale, që do t’i qonte para zhvillimet kulturore e shoqërore.

T

Tregimin e shkruaj me ëndje. E shkruaj me dashurinë më të madhe që një shkrimtar mund ta ketë për shkronjat e skalitura në letrën e bardhë. Është zhanër që më sfidon dhe bën të mendohem për mundësitë e mia krijuese. I gëzohem si një fëmijë secilës fjali që merr udhë; secilit personazh që flet me gojën e tij, që shfaqet me të gjithë dukjen e tij; secilës ndodhi që gjallon brenda asaj bote të stisur. Dëshpërohem kur fjalitë nuk ecin tutje; kur personazhi nuk di të flas e nuk di të vishet mirë; kur ndodhitë vdesin ende pa e nisur mirë jetën e tyre.
Libri me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie” është botimi i parë në fushën e prozës artistike. Krijimi i shtatëmbëdhjetë tregimeve të këtij libri ka ndodhur në një kohë kur më pat kapluar një lloj frike e pashpjegueshme. Ishte një kohë e sikletshme dhe mund të them se shkrimi ka qenë e vetmja “terapi”. Një gjë e tillë ia ka vlejtur, meqë tregimet u pritën mirë, ku njëri (“Kthimi i babait”) u përkthye në gjashtë gjuhë, ndërsa nga një tregim tjetër (“Bartësi i shpirtrave të përzënë”) doli romani me të njëjtin titull.

R

Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, i botuar në vjeshtën e vitit që shkoi, u mirëprit më shumë seç mund ta paramendoja. Ai u vlerësua për gjuhën, ndërtimin e karaktereve dhe veçantitë e tij narrative. Kujtojmë shkrimet analitike të shkrimtarëve Gëzim Aliu e Virion Graçi, të cilët janë romancierë të mirëfilltë, të vlerësuar me kohë nga kritika dhe lexuesi shqiptar dhe të shpërblyer me çmime për romanet më të mira brenda një viti. Krijuesi dhe publicisti, Halil Matoshi, “Bartësin e shpirtrave të përzënë” e pat vlerësuar si romanin më të mirë shqiptar për vitin 2015. Nuk munguan as shkrimet e kritikëve të rinj, si Zgjim Sherifi e Artesa Osmanaj. Shpresoj që të lexohet e të vlerësohet edhe më tutje, si nga shkrimtarët e kritikët, po ashtu edhe nga lexuesi dashamirës i artit romanor. Gjithashtu, e mirëpres edhe mendimin ndryshe, që i kontribuon zhvillimit të debatit kulturor për krijimtarinë tonë letrar.

S

Studimet letrare janë veprimtaria ime e përditshme që e bëj në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Pas studimeve për postmodernizmin dhe elementeve të tij në romane bashkëkohore të letërsisë sonë, jam i përqendruar në studimin e aspekteve tematike të prozës sonë, ku tema e diktaturës është ajo që ma ka zgjuar kureshtjen për kërkime të hollësishme rreth saj. Nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen të merrem me autorë të caktuar dhe fenomene të ndryshme letrare, të cilat e kanë përcjellë zhvillimin e letrave shqipe.

(Botuar për herë të parë në të përditshmen prishtinase “Koha ditore”, para dhjetë vjetëve, 17 janar 2016, f. 19)


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark