Konspiracionisti i njohur në Kosovë që nga koha e pandemisë Covid-19, Arianit Sllamniku, po deklaron se mund të “shërojë autizmin” përmes rekomandimit të disa barnave që nuk janë të destinuara për përdorim te njerëzit, por për kafshë, shkruan Insajderi.
Ai pretendon se autizmi shkaktohet nga parazitët në trupin e njeriut dhe se, përmes largimit të tyre, fëmijët mund të shërohen. Sipas tij “Vaksinimi, është shkaktari kryesor i autizmit”.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF shpreh shqetësim të thellë dhe indignim lidhur me raportimet në media se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.
Në reagimin e KOMF theksohet:
KOMF ngre alarmin dhe i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme.
KOMF reagon edhe ndaj përhapjes së pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”. Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.
Promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt: krijon pritshmëri joreale, shton stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre, dhe nxit keqkuptim për nevojat reale të fëmijëve me autizëm.
KOMF thekson urgjencën e informimit të përgjegjshëm, përmirësimin e politikave publike dhe investimin në kapacitete dhe shërbime që fuqizojnë fëmijët me autizm dhe familjet e tyre. Vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm.
Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.