Ndonëse një pjesë e madhe e Kosovës ndodhet në errësirë, në këto momente pushtetarët kanë vendosur ta ndajnë lajmin se Bahamas kanë larguar vizat për kosovarët.
Lajmin fillimisht e ka bërë të ditur kryediplomatja në detyrë, Donika Gërvalla.
“Sapo u nënshkrua marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Komonuelthit të Bahamasit për heqjen reciproke të vizave për qytetarët e të dy vendeve. Një tjetër lajm i mirë dhe hap i mëtejmë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe pas njohjes së fundit të Kosovës nga Bahamasi”, ka shkruar ajo.
Më pas, për këtë çështje ka shkruar Presidenca, ku ka shpërndarë fotografinë e presidentes Vjosa Osmani me kryeministrin e Bahamas.
“Pas njohjes nga Bahamas dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në muajin dhjetor, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Davis u dakorduan se ky do të ishte hapi i radhës. Ky hap dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës e Bahamas dhe, mbi të gjitha, për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, thuhet në shkrimin e presidencës. /Insajderi.org/