Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes, ku i dyshuari F.B. dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre.
Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
Prokuroria ka bërë të ditur se, sipas të dhënave zyrtare, i dyshuari ka pasur çrregullime mendore dhe ka qenë i përfshirë më herët në tri raste penale të dhunës në familje. Një rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy raste gjatë vitit 2021, për të cilat Prokuroria ka ngritur aktakuza dhe janë nxjerrë aktgjykime dënuese.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes.