Insajderi
Hulumtime/Analiza

Pa kUnkurru si në Pronto- Pushteti i Kurtit ia blindon postin e kryeshefit Faruk Mujkës së JUL’it, deri në vitin 2031

Insajderi
22 January 2026 - 16:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pa kUnkurru si në Pronto- Pushteti i Kurtit ia blindon postin e kryeshefit Faruk Mujkës së JUL’it, deri në vitin 2031
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Besnik Gashi

Faruk Mujka, i cili në kohën e paraluftës ishte pjesë e JUL-it (partisë që gjendej në krye të bashkëshortes së Sllobodan Millosheviqit), iu është vazhduar kontrata për kryeshef ekzekutiv në stilin “Pronto”. Bordi i ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër-Lepenci” ka marrë vendim që t’i vazhdohet kontrata pa konkurs edhe për tri vite, me mundësi vazhdimi.

Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike ka arritur të sigurojë kontratën e nënshkruar të Mujkës dhe vendimin e bordit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” për vazhdimin e kontratës.

Në vendimin e bordit, që mban nënshkrimin e kryesuesit Bajram Mustafa, bëhet e ditur se kontrata e re është nënshkruar pak para zgjedhjeve. Mujkës iu është vazhduar kontrata deri në dhjetor të 2028-ës, “me mundësi vazhdimi bazuar në vlerësimin e përformancës së përgjithshme nga Bordi i Drejtorëve”.

Në arsyetimin për vazhdim të mandatit të bordit, vlerësohet performanca e tij si kryshef ekzekutiv.  

“Gjatë mandatit të z. Faruk Mujka, N.P.H. “Ibër-Lepenc” Sh.A. ka realizuar performancë të qëndrueshme dhe pozitive, duke arritur rezultate të dukshme në përmirësimin e shërbimeve, stabilitetin financiar dhe menaxhimin efektiv të resurseve njerëzore, teknike, administrative dhe operacionale”, thuhet ndër të tjera në vendimin e bordit të “Ibër-Lepencit”.

Në kontratën e punës, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, konfirmohet se Faruk Mujka do t’i marrë nga 2200 euro në muaj. Madje, mund t’ia rrisin rrogën nëse i ecin mirë financiarisht punët ndërmarrjes.

“Punëmarrësit i caktohet paga bazë mujore në lartësi prej 1100 poena. Vlera aktuale e poenit është 2.20 euro. Vlera e poenit mund ta ndryshon punëdhënësi, varësisht nga ecuritë ekonomike-financiare të Ndërmarrjes. Numri i poenave caktohet me vendim të Bordit të Drejtorëve dhe se ndryshimi i numrit të poenave apo i vlerës nuk obligon edhe ndryshimin e kësaj kontrate”, thuhet në nenin 4 të kësaj kontrate.

Një detaj tjetër shumë interesant është lënia e hapur e mundësisë që t’i vazhdohet kontrata Mujkës edhe për tri vite.

Që nga skadimi i mandatit të Faruk Mujkës, kjo ndërmarrje publike nuk ka hapur konkurs publik për të. Kjo gjë bie ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publikë, ku sipas nenit 47, “pranimi në pozitë të kategorisë së lartë drejtuese bëhet me konkurs të hapur dhe publik të organizuar për çdo pozitë të lirë“.

Ky stil i punësimeve pa konkurs e konkurrim u bë i njohur nga afera “Pronto” e publikuar nga Gazeta Insajderi. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka shfrytëzuar në vazhdimësi aferën “Pronto” për ta kritikuar opozitën aktuale.

Emri i Faruk Mujkës ishte kundërshtuar që në fillim nga ambasada britanike, për shkak të shkeljeve të shumta të gjetura përgjatë procesit të rekrutimit të kryeshefit të ri ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”. Pas emërimit të tij, britanikët kërkuan që konkurset të kthehen në pikën zero. Mirëpo, Kurti dhe vartësit e tij refuzuan ta largojnë nga ulësja e kryesuesit të dëgjueshmin e tyre.

Krahas “përformancës së mirë” të cilën e ka parë bordi i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka u arrestua për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mos deklarim të pasurisë. Për këtë, iu ngrit edhe aktakuzë.

Siç bëri të ditur dosja e prokurorisë, Faruk Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shkëmbimi i pronave komunale me prona private.

Më 25 prill 2021, Faruk Mujka, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe me ndihmën e Muzliukajt, i ka paraqitur Kuvendit të Komunës propozim-vendimin për ndërrimin e një pjese toke komunale me një pronë private. Prona komunale, në zonën e njësisë kadastrale me numër 012130, me sipërfaqe 139 m², ndodhej në lokacionin e njohur si “ish-Bankosi” në Mitrovicë, ndërsa prona tjetër ishte në emër të një qytetari të quajtur Basreta Isufi, në rrugën “Ali Zeneli”.

Dyshja, dyshohet se tejkaluan kompetencat e tyre zyrtare për të favorizuar persona të tretë, duke paraqitur Kuvendit Komunal një propozim-vendim për këmbimin e një prone si pronë komunale, ndonëse ajo ishte shpallur më parë me interes të posaçëm publik.

Veprimet e tyre dyshohet se kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Faruk Mujka akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë. Siç e përshkruan Prokuroria Speciale në dosjen e saj, në shtëpinë e Mujkës u gjetën 60 mijë euro para të gatshme. Ato para s’ishin deklaruar kurrë nga Mujka para shtetit, përkundër që kjo s’ishte hera e parë që ai po barte pozita publike.

Mujka para hetuesve kishte thënë se këto para janë të ligjshme, meqë i kishte kursime për më shumë se 20 vite. Megjithatë, kjo s’ia ka mbushte syrin Prokurorisë.

“Lidhur me kartëmonedhat e gjetura në banesën e tij, në shumën prej 60,050.00 Euro, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit, deklaron se këto të holla janë kursimet e tij gjatë gjithë viteve që kishte punuar, ngase 22 vite kishte punuar në organizata ndërkombëtare e po ashtu edhe bashkëshortja e tij punonte në bankë, prandaj të hollat ishin kursime familjare. Këto të holla, nuk i kishte deklaruar në formularin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit“, thuhet në dosje të prokurorisë për të.

Faruk Mujka ishte pjesë e partisë JUL, e cila udhëhiqej nga gruaja e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Mujka s’e kishte mohuar anëtarësinë në këtë parti. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark