Një incident teknik është regjistruar në Klinikën e Oftalmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ka pësuar dëmtim një gyp i ujit.
Sipas QKUK-së, pas marrjes së informatës, shërbimet teknike kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke e riparuar defektin në kohë të shpejtë.
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, ka bërë të ditur se pavarësisht këtij rasti, tri sallat e operacionit në këtë klinikë janë në funksion të plotë dhe ndërhyrjet kirurgjikale po zhvillohen sipas orarit të paraparë.
Ajo ka theksuar gjithashtu se ofrimi i shërbimeve shëndetësore për pacientët nuk është ndërprerë dhe se gjendja në klinikë është e qëndrueshme dhe plotësisht e menaxhuar.