Insajderi
Lajme

Të ngujuar për rreth 7 orë nën tokë -Sindikata konfirmon se minatorët e Trepçës kanë dalë nga miniera

Insajderi
26 January 2026 - 08:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Të ngujuar për rreth 7 orë nën tokë -Sindikata konfirmon se minatorët e Trepçës kanë dalë nga miniera
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Dhjetëra minatorë të ndërrimit të dytë në Minierën e Trepçës kanë mbetur të ngujuar për disa orë, qindra metra nën tokë, si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike.

Ndërkohë, Sindikata e Punëtorëve të “Trepçës” ka konfirmuar se situata tashmë është normalizuar dhe procesi i punës ka rifilluar.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, ka deklaruar se minatorët kanë arritur të dalin nga miniera pas ndërprerjes së rrymës.

“Po e konfirmoj që minatorët kanë mbetur të ngujuar, por kanë dalë. Ka qenë për shkak të një defekti me rrymën, më shumë detaje nuk kam. Nja gjashtë apo shtatë orë kanë mbetur, tashmë po fillon puna normale, është rikthyer në normalitet”, ka thënë Jonuzi në një përgjigje për EO.

Dhjetëra minatorë nuk kishin arritur të dalin nga miniera pas përfundimit të ndërrimit të dytë, për shkak të një problemi në furnizimin me energji elektrike. Sipas këtyre raportimeve, ata kishin mbetur të bllokuar në horizontet 10, 9 dhe 8, qindra metra nën tokë.

Po ashtu, raportohej se minatorët ishte dashur të dilnin nga miniera disa orë më herët, por ndërprerja e rrymës kishte pamundësuar funksionimin normal të ashensorëve dhe daljeve të sigurisë.

Kjo nuk është hera e parë që raportohet një situatë e tillë në Minierën e Trepçës, pasi vetëm disa ditë më parë, për shkak të një defekti të ngjashëm në energjinë elektrike, disa minatorë kishin mbetur po ashtu të bllokuar qindra metra nën tokë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark