Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar për shpalljen e rezultateve që është bërë sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas tij, përveç shkeljes fillestare të shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, KQZ ka kryer edhe një shkelje tjetër duke formalizuar praktikën e kundërligjshme të shpalljes së rezultateve të pjesshme, vetëm për disa parti politike.
“Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve”, ka shkruar Cakolli në reagimin e tij.
Ai thekson se ajo që ndodhi në mbledhjen e KQZ-së është absurde dhe se të gjithë ata që nuk kanë votuar për do të duhej të drejtonin ankesat e tyre lidhur me rezultatet.
“Prandaj, ajo që ndodhi sot është absurde. Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka shtuar Cakolli.