Kaltrina Rexhepi
Me mbi dy dekada përfshirje aktive në jetën politike, Mimoza Kusari-Lila është një ndër gratë që janë përballur vazhdimisht me sulme dhe përpjekje për delegjitimim publik. Që nga fillimet e karrierës së saj, ajo është shënjestruar për ndryshime dhe lëvizje politike, më pas gjatë angazhimit në qeverisjen lokale, ndërsa së fundmi sulmet kanë marrë forma më sofistikuara dhe agresive.
Së fundmi, Kusari-Lila është përfshirë në përmbajtje dhe komente që, sipas saj, përbëjnë fushata të dezinformuara me qëllim diskreditimin e saj si grua politikane.
Kusari-Lila, kryetare e partisë Alternativa, pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, thekson se këto nuk janë raste të izoluara, por përbëjnë forma të reja dhe gjithnjë e më të rënda të dezinformatave, të cilat synojnë dëmtimin e saj personal dhe politik.
“Viteve të fundit, këto sulme kanë shkuar edhe më tej, duke atakuar dinjitetin tim profesional dhe vlerat kombëtare, me qëllim të qartë të eliminimit politik dhe largimit tim nga skena publike. Ballafaqimi me këto forma të sulmeve ka qenë shumë i vështirë”, shprehet Kusari-Lila.
Ajo thotë se, si deputete, do të bëjë të pamundurën së bashku me deputetet e tjera gra dhe me partinë pjesë e së cilës është, e cila ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e fundit, që të punojnë në hartimin e legjislacioneve që adresojnë dezinformimin.
“…kemi nevojë urgjente të punojmë në legjislacion që adreson shpifjen, dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, fenomene me të cilat po ballafaqohemi gjithnjë e më shumë.”
Mimoza Kusari-Lila beson se shtimi i platformave online ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e përhapjes së dezinformatave dhe manipulimit të opinionit publik.
“Vëmendja e publikut është gjithnjë e më e shkurtër dhe shpesh informacioni vlerësohet pa u analizuar përmbajtja e tij e plotë. Ky trend është intensifikuar sidomos gjatë fushatave zgjedhore, përmes materialeve të shkurtra prej 20–30 sekondash, që shpesh dalin jashtë çdo proporcionaliteti dhe etike”, shton ajo.
Gjuhën e përdorur ndaj saj, Kusari-Lila e cilëson si “sulme traumatike”, jo vetëm për veten, por edhe për familjen e saj.
“Lufta e ulët, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme nuk duhet të jenë pjesë e jetës demokratike.”
Deputetja thotë se pre e fushatave dezinformuese nuk është vetëm ajo, por edhe shumë gra të tjera në politikë, si në partinë e saj, ashtu edhe në partitë e tjera. Ajo thekson se, sado të rënda të kenë qenë këto sulme për të dhe familjen e saj, ato nuk kanë pasur efektin e synuar në publik.
“Megjithatë, kam qenë e befasuar pozitivisht nga mbështetja e qytetarëve, jo vetëm në aspektin moral, por edhe përmes votës. Kjo tregon se këto fushata dezinformuese nuk po kanë sukses dhe nuk po japin efekt.”
Sulmet e rreme përmes platformave online, me komente dhe video etiketuese, kanë prekur edhe shumë deputete të tjera. Ndër to është edhe Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Edhe pse deputete më e re se Kusari-Lila, Kica-Xhelili thotë se që nga hyrja e saj në politikë është përballur me gjuhë të ashpër mizogjene dhe dezinformuese.
“I kam përjetuar jo vetëm si sulm politik, por edhe si mungesë minimale empatie njerëzore, megjithëse, të jem e sinqertë, nuk jam befasuar.”
Fushatën zgjedhore ajo e cilëson si veçanërisht sfiduese për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Kam qenë e fokusuar në shëndetin tim, duke kaluar një shtatzëni të vështirë në muajt e fundit të saj. Aktivitetin politik e kam zhvilluar për aq sa kam mundur nga shtëpia, përmes adresimeve publike, kryesisht me video çdo dy-tri ditë”, tregon ajo.
Sipas saj, mungesa fizike në jetën publike u shfrytëzua për ta kthyer figurën e saj në objekt të fushatave dezinformuese dhe ndërtimit të narrativave të rreme.
“Kjo ka qenë e rëndë, sepse dezinformimi nuk ka mbetur vetëm në hapësirën virtuale, por ka depërtuar në diskursin publik dhe shoqëror. Megjithatë, kam zgjedhur të mos i përgjigjem, por të ruaj qetësinë, fokusin dhe dinjitetin, duke besuar se qytetarët dallojnë qartë mes një mungese të diktuar nga shëndeti dhe familja dhe një mungese vullneti apo përgjegjësie politike.”
Komentet e tilla, thotë ajo, kanë cak kryesisht gratë, sidomos kur një grua fillon të tregojë potencialin e saj në politikë. Në vend të kritikës për ide, sulmet shpesh prekin moralin dhe dinjitetin.
“Te një burrë kritikohen idetë; te një grua shpesh synohet karakteri, morali. Kjo manifestohet me një diskurs të dyfishtë: kur je e vendosur, të quajnë agresive; kur je e qetë, të quajnë e dobët. Thuajse asgjë që bën një grua s’kornizohet si ‘brenda normës së pranueshmërisë’.”
Ajo shton se momenti më i qartë i kësaj lufte linçuese është kur sulmet kalojnë nga kundërshtimi politik në gjuhë mizogjene dhe delegjitimim të vazhdueshëm, e më pas zhvendosen edhe te familja.“Aty e kupton që nuk kërkojnë debat: kërkojnë frikësim, turpërim dhe heshtje.”
Kica-Xhelili pranon se ka pasur momente të vështira. “Kur e sheh që shpifja përsëritet me qëllim, se diçka ushqehet nga akterë politikë e diçka nga faqe të rreme që s’kanë asnjë interes për të vërtetën, dhe kur e kupton se synimi i tyre është të të çbalancojnë psikologjikisht, jo të të mposhtin politikisht.”
Ajo thotë se ajo që e ka mbajtur është vetëpërmbajtja dhe bindja se nuk mund ta lejojë çnjerëzillëkun e të tjerëve t’ia përcaktojë rrugëtimin politik.
“Për mua, dinjiteti është mënyrë rezistence. Dhe fati im më i madh është familja, që më njeh në thelb, më beson dhe më mbështet pa kushte. Kjo është shtylla kryesore e rezistencës.”, thot deputeja Daorsja Kica – Xhelili.
NT: Politika lokale – sfidë për depërtimin e grave
Më shumë se 90 kilometra larg Prishtinës, në Komunën e Deçanit, me rreth 27 mijë banorë, zgjedhjet komunale të vitit 2025 prodhuan më shumë sesa një rezultat elektoral.
Kandidatura e Natyra Kuqit nga Partia Socialdemokrate (PSD), për kryetare të Komunës së Deçanit, u shndërrua në një akt politik që e sfidoi drejtpërdrejt këtë mit.
“Gratë, botërisht, votohen më pak. Në vendet me patriarkalitet më të theksuar kjo e vështirëson edhe më tepër punën. Mirëpo besoj që çdo herë duhet të nisemi nga bindjet politike dhe vullneti për ndryshim”, thotë Natyra Kuqi.
Edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, një grua kishte sfiduar kryetarin aktual të Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ajo ishte Hyri Dobrunaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila në ato zgjedhje doli e dyta më e votuara. Ndryshe nga Dobrunaj, Natyra Kuqi, edhe pse doli e treta më e votuara, arriti të sigurojë një përkrahje të konsiderueshme publike në një komunë me votë tradicionalisht të konsoliduar. Kandidatura e saj u diskutua edhe në nivel vendi.
“Kur je në angazhim, këto vështirësi e probleme duken disi më të vogla, sepse gatishmëria për t’i sfiduar konkurron me to. Pozicion statik më duket ai që vetëm konstaton problemin, duke e paraqitur realitetin si të pandryshueshëm. Kjo është, pak a shumë, qasja që më shtyu t’i futem kandidimit”, thotë Kuqi.
Në një komunë që prej vitesh konsiderohet bastion i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku kandidati fitues mori 8 mijë e 645 vota, përballë rezultatit të Kuqit me 2 mijë e 9 vota, dëshmohet se problemi nuk qëndron te mungesa e vullnetit të qytetarëve për të votuar gra, por te mungesa e kushteve të barabarta për garë.
“Disa parti politike kanë kandiduar gra në ato komuna ku shanset e tyre për të fituar ishin minimale, për të mos thënë baras me zero, sepse njiheshin si bastione tradicionale të partive rivale dhe paraprakisht dihej që betejat politike do të zhvilloheshin mes kundërkandidatëve burra. ‘Flijimi’ i grave politikane nga disa parti politike ndodh kur kandidojnë gra për kryetare komunash aty ku elektorati i tyre është i paktë thuhet në raportin e Qendres Kosovarë për Studime Gjinore.[1]
Edhe Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore– Zgjedhjet lokale 2025 I Lëvizsjes FOL, nxjerr në pa se partitë politike, në vend që të promovojnë gra në bastionet e tyre tradicionale, aty ku fitorja është më e mundshme ose ku pjesëmarrja garanton dukshmëri të lartë – zgjedhin t’i ruajnë këto zona për kandidatët burra.
“Në vend që t’i shfrytëzojnë këto hapësira të sigurta për të avancuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në politikë, partitë vazhdojnë të ndjekin një logjikë tradicionale të pushtetit, e cila reflekton strukturat patriarkale dhe hierarkitë e brendshme që mbeten dominuese”.[2]
Në analizat gjinore të hulumtimeve të ndryshme të publikuara nga shoqëria civile në vend, del qartë se ky dallim është thelbësor. Dezinformata se gratë “nuk votohen” shërben për të justifikuar përjashtimin e tyre nga garat serioze, për t’i vendosur në pozita jo-fituese ose simbolike dhe për të mos investuar burime politike, financiare e mediatike në kandidaturat e tyre. Si rrjedhojë, rezultati i ulët i grave nuk është shkak, por pasojë e kësaj logjike përjashtuese.
Sipas hulumtimit të Institutit Demokratik të Kosovës, “Gratë në Zgjedhjet Lokale 2025: Mes Kuotës dhe Realitetit Elektoral”, gratë vazhdojnë të jenë dukshëm të nën-përfaqësuara në garën për poste ekzekutive lokale. Vetëm 20 gra nga 205 kandidatë për kryetarë komunash (10%) përbëjnë një sinjal të qartë se barrierat politike dhe kulturore mbeten të forta, ndërsa vullneti i partive për ta sfiduar këtë status quo vazhdon të jetë i dobët.
“Analiza tregon se kandidatët gra shpesh propozohen për komuna ku subjektet e tyre nuk kanë pasur historik suksesi. Kjo nënkupton se partitë e shohin kandidimin e grave si një veprim që u shërben kërkesave formale të imazhit, por jo si një angazhim për fitore potenciale… Ky trend nuk është i ri. Ai përputhet me ciklet e kaluara zgjedhore, ku gratë janë kandiduar kryesisht në komuna ku rezultati ishte i parashikueshëm, përgjithësisht në disfavor të subjekteve përkatëse që i garonin gratë, dhe jo në garat thelbësore”, thuhet në raport.[3]
Megjithatë, edhe përballë humbjes në garë, gratë e reja në politikë arrijnë të shohin shpresë dhe kuptim në proces. Për Natyra Kuqin, përkrahja e marrë gjatë fushatës përfaqësonte diçka më të madhe sesa rezultati elektoral. “Përkrahja që morëm, përtej numrave, ishte tregues tejet i qartë se njerëzit kanë nevojë për një politikë të re”, thekson ajo.
Sipas Kuqit, vetë dinamika e fushatës dëshmoi se potenciali për ndryshim ekzistonte, por nuk po materializohej për shkak të realiteteve lokale të ngulitura prej vitesh. “Fushata dhe fryma vetëm sa tregonin se kushtet për ndryshim ekzistonin, por ai nuk po ndodhte, sepse strukturat dhe dinamikat në nivel lokal vazhdonin të ishin të ndikuara dhe të kontrolluara nga pushteti i kaluar”, shprehet Kuqi.
Një nga sfidat kryesore për gratë në politikë mbetet qasja e kufizuar në media, veçanërisht në platformat online, por edhe mungesa e hapësirës në televizionet kryesore të vendit. Përballë kësaj, Kuqi zgjodhi rrjetet sociale si kanal alternativ për të ndërtuar një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më të hapur me qytetarët.
“Rrjetet sociale na e lehtësuan fushatën, sepse na mundësuan të komunikonim drejtpërdrejt me qytetarët. Ata na shkruanin, na dërgonin denoncime, të cilat unë i publikoja. Qytetarët na tregonin problemin dhe adresën, ne shkonim në terren dhe i bënim publike. Ishte një bashkëpunim shumë përmbushës, edhe në nivel personal”, rrëfen ajo.
Megjithëse Kuqi i sheh rrjetet sociale kryesisht si hapësirë pozitive për mobilizim dhe komunikim, jo gjithçka gjatë fushatës ishte e tillë. Një hulumtim i realizuar nga D4D, i cili analizoi mbi 1,000 komente online, tregon se Kuqi ishte ndër kandidatet për kryetare më të shënjestruara me komente negative gjatë fushatës.
“Nga numri i përgjithshëm i komenteve, 2% përmbanin në mënyrë eksplicite gjuhë urrejtjeje mbi bazë gjinore. Kandidatja më e targetuar ishte Natyra Kuqi (PSD, Komuna e Deçanit), me 132 komente që përmbanin gjuhë poshtëruese ose fyese. Pas saj renditet Arta Vokshi Nallbani (PDK, Komuna e Pejës) me 28 komente dhe Emilija Redžepi (NDS, Komuna e Prizrenit) me 17 komente me gjuhë urrejtjeje”, thuhet në hulumtim .[4]
Kuqi thotw se prania në garë nuk përkthehet automatikisht në barazi reale.
“Mungon edhe vota edhe hapësira. Jo vetëm pse ke hapësirë kjo përkthehet në votë… Gratë nuk kanë trashëguar pushtet. Neve na është dashur të ndërtojmë nga e para dhe të jemi në garë me burra që tashmë kanë aleanca të trashëguara”, shprehet ajo.
Një analizë e hapësirës mediatike të grave dhe burrave gjatë zgjedhjeve lokale, e realizuar nga Lëvizja FOL, tregon se ‘vetëm 10% e hapësirës në kronikat zgjedhore u është kushtuar kandidateve gra’. Ky fakt nxjerr në pah një zinxhir të tërë përjashtimesh: gratë kanë më pak mundësi për të garuar, më pak mbështetje nga strukturat partiake, më pak dukshmëri gjatë fushatës dhe, si pasojë, më pak vëmendje mediatike. Ky është një cikël vetë-përforcues që i mban ato në periferi të debatit publik dhe ua mohon mundësinë për të ndërtuar profilin e tyre politik përpara votuesve”.[5]
Sipas Mexhide Demollit drejtore në Lëvizjen FOL, gratë në politikën komunale në Kosovë vazhdojnë të trajtohen si figura dytësore në hapësirën mediatike. Ajo thot se në raportin e nxjerr nga FOL, është një shifër domethënëse që tregon qartë se si mediat ende nuk i shohin gratë si aktore kyçe të garës politike.
“Edhe në rastet kur ato janë të pranishme, diskursi shpesh kufizohet në “tema shoqërore” apo “çështje të grave”, ndërsa debatet për buxhetin, infrastrukturën dhe menaxhimin lokal mbeten pothuajse ekskluzivisht territor i burrave”, thot Mexhide Demilli.
Sipas saj trajtim i pabarabartë nuk ndalet vetëm te mediat tradicionale, por që sipas monitorimeve, gratë në jetën publike janë gjithnjë e më shpesh objekt i fushatave denigruese në hapësirën online. Ato përbëjnë rreth 70 për qind të shkeljeve të identifikuara në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, ku sulmet rrallëherë lidhen me punën apo programin politik.
“Në vend të kësaj, në shënjestër vihen jeta private, pamja fizike apo integriteti moral. Ngacmimi personal është një nga format dominuese të sulmit, me qëllim që gratë të tërhiqen nga debati publik”, thekson Demolli.
Edhe Natyra e ka përjetuar këtë realitet nga afër. Ajo tregon se sa më e zëshme bëhej në hapësirën publike, aq më agresive bëheshin reagimet online. Ky përjetim përputhet me gjetjet e raportit, sipas të cilit “gjuha e urrejtjes përdoret si mjet disiplinues”, me synimin për të heshtur gratë që sfidojnë status quo-në. Mungesa e reagimit institucional, si dhe mbrojtja e pamjaftueshme nga media dhe sistemi i drejtësisë, e bën këtë përvojë edhe më izolues për gratë aktive.
Pasojat e kësaj klime janë veçanërisht të rënda për vajzat dhe gratë e reja. Ato shohin se angazhimi politik shoqërohet me një “çmim” të lartë linçimi publik dhe marrin mesazhin se politika vazhdon të perceptohet si një “ambient për burra”. Siç vëren FOL, mungesa e sanksioneve ndaj partive politike që tolerojnë ose nxisin gjuhën denigruese e normalizon këtë sjellje, duke e shndërruar politikën në një fushë beteje ku shumë vajza nuk e shohin veten.
“Gratë në shoqërinë civile dhe në politikë nuk duhet të luftojnë vetëm për kauzat e tyre, por edhe kundër një makinerie dezinformimi që synon t’i heshtë ato. Përvoja e grave aktive në Kosovë tregon se gjuha e urrejtjes përdoret si mjet ‘disiplinues’, sa më e zëshme të jetë një grua, aq më brutale bëhen sulmet digjitale. Fatkeqësisht, numri i grave aktiviste në Kosovë mbetet i vogël, gjë që dëshmon qartë se të gjitha këto fenomene ndikojnë drejtpërdrejt që ato të hezitojnë të flasin në publik.”
Raporti “Monitorimi i Kodit të Sjelljes për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025”, i realizuar nga Demokraci për Zhvillim (D4D), përfshiu monitorimin në 14 komuna të Kosovës dhe identifikoi gjithsej 152 shkelje gjatë periudhës nga 1 shtatori deri më 26 tetor 2025. Sipas të dhënave, 95 për qind e shkeljeve ndodhën në Facebook, duke e konfirmuar këtë platformë si kanalin dominues të komunikimit politik para zgjedhjeve. TikTok përbënte 5 për qind të shkeljeve, ndërsa Instagram vetëm 1 %.[6]
Raporti i D4D-së evidenton gjithashtu një prani të lartë të gjuhës së urrejtjes, e identifikuar në 70 për qind të rasteve, si dhe ngacmimin personal në 14 për qind të tyre.
“Kandidatët për kuvendet komunale ishin shkelësit më të shpeshtë, me 66 për qind të rasteve, të ndjekur nga mediat me 13 për qind, analistët politikë me 11 për qind dhe kandidatët për kryetarë komunash me 10 për qind”, thuhet në raport.
Sipas Agjencisë për Barazi Gjinore në Kosovë, vajzat e reja që synojnë të angazhohen në politikë dhe në jetën publike përballen njëkohësisht me dy sfida: mënyrën se si paraqiten në publik dhe frikën nga ekspozimi publik. Kjo situatë vjen si pasojë e një narrative të përhapur gjerësisht, sipas së cilës gratë hasin vështirësi për të kontribuar në politikë.
“Pavarësisht se Kosova ka për herë të dytë një presidente grua dhe një numër të konsiderueshëm deputetesh të zgjedhura me votën e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, mungesa e një hapësire të sigurt në jetën publike bën që figurat e reja të hezitojnë të hyjnë në garë, qoftë si figura publike apo si pjesë e skenës politike”, thekson kjo Agjenci.
“Komentet online të drejtuara ndaj grave janë ndër format më të dëmshme të dezinformimit. Ato i bëjnë gratë shumë më të ekspozuara dhe më të ndjeshme ndaj sulmeve, jo sepse burrat nuk përballen me kritika, por sepse gratë gjykohen për veshjen, moralin dhe familjen e tyre”, thekson Agjencia për Barazi Gjinore.
Raporti I Organizates Fol pervec qe tregoi sfidat e të qenit në jetën publike tregoi edhe një presence jashtëzakonisht të ulët të grave në debatete televizive. Por në anen tjetër, autoret e emsioneve politike theksojnë sfiden e jashtëzakonshme që të arrijnë deri në sigurimin e grave që të marrin pjese në debatet televizice, dhe këtu nuk hyjnë vetëm gratë që marrin jetë në jeten publike, por deri tek ato që kandidojnë për poste.
“Vajzat e reja shohin se suksesi në politikë vjen me një “çmim” të lartë të linçimit publik, gjë që i bën ato të hezitojnë. Kur vajzat shohin se gratë kandidate marrin vetëm 10% të hapësirës, ato marrin mesazhin se politika është një “ambient për burra”, thot Mexhide Demolli drejtore në organizaten FOL, duke treguar pasojat e dezinformimit në aspektin gjinor.
NT: Gratë profesioniste në media: Standardi i dyfishtë dhe dezinformimi
Fitore Rexhepi, redaktore dhe prezantuese e emisionit “Prime” në RTK, thotë se një nga sfidat kryesore në punën e tyre mbetet sigurimi i pjesëmarrjes së grave në debate, me qëllim krijimin e paneleve të balancuara gjinorisht.
“Po, ka vështirësi konkrete… Në disa raste, gratë shprehin shqetësim për mënyrën se si interpretohen deklaratat e tyre ose për fokusin e debatit, i cili shpesh zhvendoset nga përmbajtja te aspektet personale. Dhuna online është tepër shqetësuese dhe gratë janë më të atakuarat. Shpesh, kjo është një nga arsyet pse ato vendosin të tërhiqen nga jeta publike”, tregon Rexhepi.
Ajo shton se dezinformimi dhe narrativat negative ndaj grave në politikë dhe në media janë të pranishme dhe përbëjnë një sfidë reale. Këto narrativa rrisin koston personale të pjesëmarrjes publike për gratë dhe, në disa raste, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin e tyre për të refuzuar ftesa televizive.
Rexhepi thekson se përpiqet të krijojë një ambient të sigurt për secilin panelist që merr pjesë në debatet që ajo moderon.
“Çdo autor i emisioneve politike duhet të krijojë një ambient të sigurt, në mënyrë që grave t’u jepet hapësirë për të shprehur mendimet e tyre. Sulmet, komentet denigruese dhe fushatat e diskreditimit në hapësirën publike dhe online e vështirësojnë ndjeshëm pjesëmarrjen e grave në debatet televizive”, thotë ajo.
Imune ndaj dezinformatave, sulmeve dhe komenteve fyese në mediat sociale, shpesh edhe në profilet e tyre private, nuk janë as gratë që janë pjesë e vetë mediave.
Për Ardiana Thaçin, gazetare dhe autore me përvojë të gjatë në media, gjuha seksiste dhe narrativat dezinformuese nuk janë episod i veçantë, por pjesë e një realiteti të vazhdueshëm profesional.
“Gjuha seksiste dhe narrativat dezinformuese kanë qenë të pranishme gjatë gjithë karrierës sime, por intensiteti i tyre rritet sa herë që trajtoj tema që prekin interesa të fuqishme ose struktura patriarkale,” thotë Thaçi, duke shtuar se sulmet rrallë kanë të bëjnë me përmbajtjen e punës së saj. “Këto sulme zakonisht nuk lidhen me punën time, por me përpjekjen për të më diskredituar personalisht.”
Në vend që të sfidohet argumenti apo fakti, shpesh synohet të ndërtohet perceptimi se një grua nuk ka legjitimitet të flasë publikisht për tema të ndjeshme ose probleme të rënda shoqërore.
“Forma më e shpeshtë ka qenë sulmi moral dhe delegjitimimi i autoritetit profesional, duke u përpjekur të krijohet perceptimi se një grua nuk ka të drejtë të flasë fort apo të ekspozojë probleme të rënda shoqërore,” thekson ajo.
Sipas Thaçit, ky trajtim dallon qartë nga ai që u rezervohet kolegëve burra. “Tek gratë në media, shpesh vlerësohet sjellja, pamja apo morali, ndërsa tek kolegët burra fokusi mbetet te profesionalizmi dhe autoriteti,” thotë ajo. Ky standard i dyfishtë nuk është thjesht një çështje perceptimi individual, por ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si publiku e pranon ose e vë në dyshim zërin e një gruaje në hapësirën publike. “Ky standard i dyfishtë krijon një ambient ku puna jonë duhet vazhdimisht të justifikohet,” shton ajo.
Saranda Ramaj njëra ndër gazetaret më të mira në vend e vlerësuar me 20 çmime gazetareske për raportimin e saj në fushën e shëndetësisë dhe jo vetëm, vlerëson se gratë profesioniste e kanë shumë më të vështirë të flasin publikisht, jo sepse nuk janë të përgatitura, por sepse hapësira publike shpesh nuk i trajton si të barabarta.
“ Në momentin kur një grua del me një analizë që nuk u përshtatet pritjeve, debati rrëshqet menjëherë nga përmbajtja te personi. Nuk diskutohet ajo që thotë, por ajo si duket, si sillet, me kë është, nëse ka partner, apo nëse duhet të flasë kaq fort ose kaq drejtpërdrejt”.
Ramaj shton se edhe nga përvoja e saj si gazetare, gratë kompetente nuk kërkojnë hapësirë publike për të qenë thjesht të pranishme në ekran, por për të sjellë përmbajtje me vlerë. “Problemi është se kjo vlerë shpesh nuk tolerohet. Kam parë, dhe e kam përjetuar vetë, se si hulumtimi, faktet dhe puna shumëvjeçare relativizohen, ndërsa vëmendja zhvendoset te komente personale që nuk kanë asnjë lidhje me profesionalizmin”, vazhdon ajo.
Ajo thot se pikërisht kjo sjellje, krijon dekurajim dhe lodhje tek gratë profesioniste, kur çdo dalje publike shoqërohet me sulme personale dhe komente mizogjene. Sipas saj shumë gra zgjedhin të tërhiqen jo nga frika, por sepse refuzojnë të jenë pjesë e një debati që nuk respekton as faktet dhe as dijen.
“Në këtë kuptim, nuk bëhet fjalë vetëm për diskriminim gjinor, por për një formë më të thellë dezinformimi, ku mungesa e kompetencës shpërblehet, ndërsa ekspertiza heshtet. Pasojat nuk i ndjen vetëm gruaja që flet më pak, por vetë shoqëria, e cila mbetet me më pak zëra të besueshëm në hapësirën publike”.
Mediat onlinë mbetën ndër përdoruesit më të mëdhënjë të gjihës së urrejtjës dhe dezinformimit sa I përket pjesmarrjes së grave në jetën publike dhe në politikë.
Në një hulumtim të publikuar në janar të këtij vit inga Organizata Joqeveritare D4D është pasqyruar një thuhet se sulmet online ndaj grave në politikën e Kosovës kanë kaluar nga raste të izoluara në një model më të gjerë digjital që synon minimin e kredibilitetit të tyre.
Në këtë hulumtim ku është bërë analiza e 660 mijë e 758-të komenteve, ku 14% përmbanin gjuhë urrejtjeje ndaj grave, dëshmon se mizogjinia online është e mishëruar, e qëndrueshme dhe e kapaciteteve intelektuale të grave në Qëndrueshmëria përhapur gjerësisht, jo e kufizuar vetëm në ngjarje apo skandale të izoluara.
“Gratë janë të ekspozuara ndaj ngacmimit të politikëi cili intensifikohet gjatë krizave politike, duke e shndërruar dukshmërinë publike në një faktor risku”.
“Në vend se të adresojnë politikat apo kualifikimet e tyre, këto sulme fokusohen në jetën personale, pamjen fizike ose elemente vizuale të parëndësishme. Gratë shpesh paraqiten si “të pakualifikuara” ose “të padenja”, ndërsa seksionet e komenteve tallin pamjen e tyre dhe e devijojnë diskutimin nga puna e tyre politike. Ky trend krijon një mjedis online ku legjitimiteti politik i grave vihet vazhdimisht në pikëpyetje, në vend që të merret si i mirëqenë”, thuhet në Hulumtim.
Sulmet seksiste, diskreditimi i ekspertizës dhe dezinformatat online nuk ndikojnë vetëm në individet, por dobësojnë gjithashtu debatet publike dhe besueshmërinë e hapësirës publike. Siç dëshmohet nga hulumtimet dhe rrëfimet e gazetarëve të shquar, gratë shpesh duhet të luftojnë dy herë: për të ofruar njohuri dhe për të mbrojtur të drejtën për t’u dëgjuar pa u sulmuar. Kjo situatë nuk e kufizon vetëm zërin e tyre, por ndikon edhe në shoqërinë në tërësi, duke e bërë diskursin publik më pak të pasur me mendime të bazuara në kompetencë dhe më të ndikuar nga paragjykimet gjinore.
Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.
[1] 675bf7885de2bf2dcde11c77_Raporti_QKSGJ_Struktura_compressed.pdf
[2] Raporti-i-Monitorimit-te-Mediave-ZgjedhjetLokale2025.pdf
[4] D4D_SM_Code-Conduct_SHQ_Final_WEB.pdf
[5] Raporti-i-Monitorimit-te-Mediave-ZgjedhjetLokale2025.pdf
[6] D4D_SM_Code-Conduct_SHQ_Final_WEB.pdf