Insajderi
Op-Ed

Narrativat dezinformuese dhe trashëgimia patriarkale

Insajderi
31 January 2026 - 20:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Narrativat dezinformuese dhe trashëgimia patriarkale
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kaltrina Rexhepi

Normat tradicionale dhe deri në një masë edhe dezinformata e trashëguara brez pas brezi i shtyn gratë të besojnë se trashëgimia “u takon burrave”.

Në çështjet e trashëgimisë, Kosova ka një kornizë ligjore që garanton të drejta të barabarta pronësore për gratë dhe burrat.

Neni 46 i Kushtetutës përcakton se e drejta e pronës është e garantuar për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe askush nuk duhet të privohet në mënyrë arbitrare nga kjo e drejtë.

Ligji për Trashëgiminë nënvizon se të gjithë kanë të drejtë të barabartë për të trashëguar pasurinë në të njëjtat kushte, ndërsa heqja dorë nga trashëgimia është e vlefshme vetëm nëse nuk ndodh nën detyrim.

Megjithatë, realiteti tregon një gjendje të ndryshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, nga 612 mijë 482 prona të regjistruara në vitin 2024, vetëm 19.8% janë në pronësi të grave, duke përfshirë edhe pronën që gratë dhe burrat zotërojnë së bashku.

Hulumtimi i UN Women, “Kosovo Gender Country Profile”, tregon se shumë gra prapë heqin dorë nga pasuria që u takon ligjërisht. Rreth 45% e grave që kalojnë përmes procedurave të formalizuara të trashëgimisë zgjedhin të heqin dorë nga pjesa e tyre.

Arsyeja kryesore nuk është mungesa e ligjit, por presioni shoqëror, vlerat tradicionale dhe pritshmëritë familjare. Frika nga konflikti ose stigmatizimi e shtyn shumë gra të heqin dorë nga të drejtat e tyre ligjore. Mungesa e informimit ose keqkuptimet rreth të drejtave të tyre dhe përfitimeve të pronësisë kontribuojnë gjithashtu në këtë situatë.

Një hulumtim tjetër, i realizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në kuadër të projektit “Bëje Tëndën”, me titull “Sfidat e Grave në Realizimin e të Drejtave Pronësore në Kosovë: Një perspektivë nga monitorimi gjyqësor”, konfirmon vështirësitë e grave për qasje në pronë dhe trashëgimi.

Ka raste kur gratë përjashtohen nga trashëgimia përmes fshehjes së qëllimshme dhe jashtëligjore nga procedurat ligjore. Përkundër bazës së mirë ligjore, shpesh gratë marrin vendime duke u bazuar në informacionet e pasakta për procedurat, koston apo kohën e përfitimit të trashëgëmisë.

Edhe studimi i GLPS konstaton se ka raste kur vëllezërit  iniciojnë dhe përfundojnë proceset pa informuar gratë, duke u regjistruar vetëm vetë si trashëgimtarë, praktikë që e bën shumë të vështirë që gratë të ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore dhe shpesh i lë ato pa asnjë pjesë të pasurisë që u takon.

Një sfidë tjetër për gratë që kërkojnë të drejtën e tyre përmes gjykatave mbetet mungesa e informacionit të qartë mbi koston dhe kohëzgjatjen e procesit, i cili shpesh paraqitet rrejshëm se është procedurë e gjatë dhe e kushtueshme.

Avokatja Marigona Berisha shpjegon: “Procedurat për vërtetimin e pronësisë nuk kanë një kosto fikse të përcaktuar paraprakisht.”

Ajo sqaron se çdo qytetar mund të kërkojë të drejtën e tij për vërtetimin e pronës në mënyra të ndryshme.

“Nëse procesi nis përmes gjykatës, pala dhe avokati mund të bëjnë një marrëveshje për përfaqësim, ku përcaktohet çmimi sipas vullnetit dhe marrëveshjes së ndërsjellë. Në rrethana të tjera, të gjitha veprimet procedurale, përfshirë përpilimin e shkresave dhe përfaqësimin në seanca gjyqësore, janë të rregulluara sipas Tarifës së Odës së Avokatëve, që përcakton çmime të ndryshme në varësi të vlerës së pronës për të cilën zhvillohet kontesti.”

Juristi Anton Nrecaj nga Instituti CLARD shton se narrativat dezinformuese mbi të drejtat e grave në trashëgimi janë të përhapura gjerësisht në shoqërinë kosovare dhe ndikojnë drejtpërdrejt në kufizimin e qasjes së tyre në pronë. “Këto narrativa shpesh maskohen si ‘traditë’, ‘normë familjare’ apo ‘zakon’, duke e bërë kundërshtimin e tyre edhe më të vështirë. Shumë prej tyre nuk kanë asnjë bazë ligjore, por burojnë nga praktikat tradicionale patriarkale. Përçojnë idenë se vajzat ‘nuk kanë të drejtë’, ‘nuk duhet të marrin pjesë’, ose se ‘djemtë janë trashëgimtarët natyralë’,” shpjegon Nrecaj.

Përkundër këtyre sfidave, fushatat sensibilizuese nga institucionet, përfshirë edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, kanë përcjellë mesazhin se e drejta në pronë dhe trashëgimi është e barabartë dhe e pamohueshme për të dy gjinitë.

Pretendimi se regjistrimi i pronës në emër të gruas në kadastër zgjat shumë nuk qëndron në shumicën e rasteve. Kur dokumentacioni është i plotë, procesi zakonisht përfundon brenda 7–15 ditësh, dhe edhe në rastet më komplekse rrallë i kalon 30 ditët. Vonesat ndodhin kryesisht për dokumentacion të paplotë ose konteste pronësore.

Kjo tregon se pengesa kryesore nuk është sistemi i kadastër, por barrierat shoqërore dhe mungesa e vullnetit për të respektuar të drejtat e grave.

NT: Tendencat pozitive në përfshirjen e grave

Çdo ndarje prone duhet të kalojë përmes noterëve të licencuar dhe çdo veprim regjistrohet në Odën e Noterëve të Kosovës. Sipas saj, vitet e fundit ka pasur një interesim më të madh për ndarjen e pronës në mënyrë të barabartë, edhe pse ende nuk është e mjaftueshme.

“Në praktikën noteriale, niveli i informimit të grave ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, falë fushatave publike dhe qasjes më të lehtë në informacion. Megjithatë, ende ka persona, gra dhe burra, që marrin informacion të plotë vetëm gjatë procesit noterial. Në këto raste, noteri ka rol proaktiv për t’i informuar palët në mënyrë të barabartë mbi të drejtat e tyre ligjore,” shpjegojnë nga Oda e Noterëve të Kosovës.

Megjithatë, narrativat popullore ende ndikojnë shumë: shpesh grave u është thënë se te noteri duhet të bien dakord për të hequr dorë nga trashëgimia, duke e bërë procesin më të vështirë dhe më emocionalisht të lodhshëm.

Në proceset e trashëgimisë, roli i noterit kufizohet kryesisht në rastet jokontestimore, ku palët kanë arritur marrëveshje për ndarjen e pasurisë.

Në situata të veçanta, kur një person shpreh vullnetin për të hequr dorë nga trashëgimia, noteri mund të zhvillojë edhe seanca këshilluese të ndara, për t’u siguruar që pala është plotësisht e informuar dhe e vetëdijshme për pasojat ligjore të vendimit të saj.

Megjithatë, sapo konstatohet ndonjë mosmarrëveshje apo kontestim mes palëve, procedura noteriale ndërpritet dhe rasti udhëzohet për trajtim në gjykatë.

“Pavarësisht sfidave strukturore, vërehet një trend gradual pozitiv, ku gjithnjë e më shumë baballarë dhe burra tregojnë gatishmëri që vajzat dhe gratë të përfshihen në mënyrë të barabartë në aktet e trashëgimisë, kontratat e dhurimit dhe ndarjen e pasurisë familjare,” shpjegojnë nga Oda e Noterëve.

Avokatja Miranda Haxhiu, e cila përfaqëson raste të tilla, tregon se numri i kërkesave për realizimin e të drejtave pronësore të grave ka rritur ndjeshëm, por progresi mbetet i pamjaftueshëm. Sipas saj, arsyet kryesore që gratë heqin dorë nuk janë ligjore, por sociale: presioni familjar, mentaliteti tradicional, mungesa e edukimit dhe stigma shoqërore.

“Stigma sociale mbetet faktori kryesor në moszbatimin praktik të ligjit. Varësisht nga bindjet e familjes, kjo mund të manifestohet përmes argumenteve fetare ose tradicionale, që për mua shpesh rezultojnë të njëjta në efekt,” shpjegon Haxhiu.

Ajo shton se ekzistojnë mekanizma mbrojtës, përfshirë paditë kontestimore dhe procedurat penale kur ka elemente mashtrimi ose falsifikimi, por këto kërkojnë reagim të shpejtë dhe njohuri ligjore.

“Rastet më të shpeshta ndodhin kur trashëgimtarët nuk informohen dhe nuk regjistrohen në aktin e vdekjes së trashëgimtarit. Shumica e grave mbeten jashtë, dhe kur informohen, duhet të hapin procedurë kontestimore, duke humbur ndonjëherë afatet ligjore,” sqaron Haxhiu.

Ajo thekson se, megjithëse gjendja nuk është ende e kënaqshme, ka rritje të ndjeshme të kërkesave për qasje në trashëgimi, veçanërisht gjatë tri viteve të fundit: “Numri i kërkesave që përfaqësojmë si zyrë avokatie është rritur ndjeshëm në tri vitet e fundit.”

Për të përmirësuar qasjen reale të grave në trashëgimi, Haxhiu sugjeron informim më të gjerë dhe fushata edukative, sidomos në zonat rurale dhe tek gratë me nivel të ulët ekonomik ose arsimor. Edukimi i shoqërisë dhe i prindërve mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në pronë është po aq i rëndësishëm sa ligji vetë.

Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas thekson se, edhe pas fushatave informuese gjatë vitit 2025, stigma mbetet prezente dhe ndikon në qasjen e grave.

“Gratë në Kosovë kanë filluar të kuptojnë se kanë të drejtë të gëzojnë trashëgiminë dhe kjo garantohet ligjërisht, por ende nuk janë të gatshme të luftojnë për këtë të drejtë,” përfundon ai.

Gane Xhelili, drejtuese e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, tregon se interesimi i grave për ndërmjetësim në çështje pronësore mbetet ende shumë i ulët. Megjithatë, ajo thekson se gratë, edhe pse në numër më të vogël se burrat, po fillojnë të kërkojnë të drejtën e tyre në pronë edhe përmes formave të ndërmjetësimit, duke sfiduar narrativën dhe bindjet patriarkale se gratë nuk kanë të drejtë në trashëgimi dhe pronë.

Sipas saj, gjatë vitit 2024, janë trajtuar gjithsej 14 mijë e 85 raste përmes ndërmjetësimit, duke përfshirë çështje civile, penale, familjare dhe administrative. Prej tyre, 7 mijë e 824 raste janë referuar nga gjykatat e Kosovës, 2 mijë e155 raste  nga prokuroritë, ndërsa 4 mijë e106 raste janë trajtuar me vetëinicim, kur palët vetë kanë zgjedhur ndërmjetësimin për kontestet e tyre. “Shumica e rasteve të vetëinicimit kanë qenë konteste pronësore dhe, brenda tyre, afërsisht vetëm 10% e palëve kanë qenë gra,” sqaron Xhelili.

Çështja e pronës nuk diskutohet vetëm nga aspekti ligjor apo tradicional, por shpesh shihet edhe përmes prizmit të diskursit fetar. Gratë lidhen me rolin e kujdestareve të familjes, duke ruajtur “nderin e shtëpisë”, një narrativë që shpesh i lë ato amvise pa fuqi ekonomike.

Vaxhide Bunjaku nga Departamenti i Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës tregon se, vitet e fundit, BIK ka punuar për të interpretuar pjesë të Kuranit që theksojnë të drejtat e grave, sidomos në pronë dhe trashëgimi.

“Gratë në fenë islame janë të barabarta në trashëgimi dhe pronë. Ne mundohemi t’ua përçojmë këtë mesazh besimtarëve. Shumë gra shpesh mendojnë se feja nuk ua lejon këtë, ose janë mësuar me atë ide. Por vitet e fundit, ne e kemi marrë si obligim t’i informojmë se gratë, motrat myslimane, kanë të drejtë të kenë pronën e tyre dhe se ndarja e trashëgimisë është edhe obligim fetar,” shpjegon ajo.

Përvoja e grave në Kosovë në çështjet e pronës dhe trashëgimisë tregon se sfidat nuk janë thjesht ligjore, por edhe kulturore, sociale dhe psikologjike. Edhe pse ligji garanton të drejta të barabarta, praktikat tradicionale, presioni familjar dhe stigmatizimi shoqëror e bëjnë të vështirë për gratë të realizojnë këto të drejta.

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark