Insajderi
Lajme

Presidenca reagon ndaj gazetarit të mediumit gjerman: Shpifje dhe të pavërteta

Insajderi
04 February 2026 - 15:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Presidenca reagon ndaj gazetarit të mediumit gjerman: Shpifje dhe të pavërteta
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pas kritikave të gazetarit gjerman të Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ndaj presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar këshilltari i saj, Rinor Nuhiu duke i cilësuar deklaratat e gazetarit si shpifëse dhe të pavërteta.

Në një reagim publik, Nuhiu ka theksuar se pretendimet e Martens përbëjnë shpifje, fyerje dhe përhapje të dezinformatave, të cilat sipas tij, janë të dënueshme sipas legjislacionit gjerman.

“Shpifja dhe fyerja, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme nga Michael Martens (i njohur si Andric1961), i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman,” ka shkruar Nuhiu në “X”.

Osmani sërish në fokusin e kritikave nga gazetari i FAZ-it: Po shfaqet si “kandidatja e Trumpit” për të siguruar mandatin e dytë

Ai shtoi se presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e gazetarit, duke i cilësuar ato si dëmtuese për institucionin e Presidencës dhe për shtetin e Kosovës.

“Presidentja Osmani i refuzon kategorikisht pretendimet shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformatave,” theksoi këshilltari i saj.

Sipas Nuhiut, presidentja tashmë ka nisur konsultimet me avokatë në Gjermani, me qëllim të ndjekjes së të gjitha rrugëve ligjore të mundshme.

“Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani për të përdorur të gjitha mjetet ligjore, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të institucionit dhe të vendit që ajo udhëheq,” përfundoi Nuhiu.

Reagimi vjen pasi gazetari i FAZ-it kishte shkruar se Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë duke u prezantuar si “kandidatja e Donald Trumpit”, një vlerësim që ka nxitur debat të gjerë në opinionin publik.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark