Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e paraburgimit ndaj 22 kryesuesve të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në komunën e Gjakovës. Atyre iu caktua masa e paraqitjes në stacion policor.
Sipas njoftmit të Gjykatës, vendimi është marrë pas mbajtjes së tri seancave dëgjomore.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve”, njofton Gjykata.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor.
“Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026”, thuhet në njoftim.