Gjykata Themelore në Pejë ka liruar të gjithë të pandehurit: Albanor Baloku, Granit Baloku, Fat Selimi, Bardh e Arbias Mehmetaj, Egzon Berisha dhe Vlorent Baloku, nga akuzat për blerjen, posedimin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve. Ky vendim erdhi pas gabimeve nga Prokuroria Themelore në Pejë, shkruan Insajderi.
Të akuzuarit dhe veprat penale
Sipas aktakuzës së Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit:
• Egzon Berisha nga fshati Pishtan, Pejë, • Albanor Baloku nga Peja, • Granit Baloku nga Peja, • Fat Selimaj nga Peja, • Arbias Mehmetaj nga Peja, • Bardh Mehmetaj nga Peja, • Vlorent Baloku nga Peja, akuzoheshin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa dy prej tyre edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkaq, Vlorent Baloku akuzohej për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Çfarë thuhej në aktakuzë?
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohej se nga tetori 2021 deri në shkurt 2022, në rajonin e Pejës, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, janë furnizuar dhe kanë shpërndarë substanca narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë.
Gjatë kontrollit të realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në shtëpinë e njërit prej të pandehurve në fshatin Pishtan janë gjetur dhe sekuestruar sasi të ndryshme të substancës së dyshuar narkotike, të cilat pas ekzaminimit kanë rezultuar të jenë marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 76.5 gramësh.
Përgjimet që nuk u pranuan
Insajderi merr vesh se në fillim ishin lëshuar masat e përgjimit, e vetëm më vonë aktvendimi për fillimin e hetimeve. Këtë veprim Gjykata e ka parë si shkelje procedurale dhe prandaj ka konstatuar se këto prova janë në:
Kundërshtim me Ligjin:
Provë e Papranueshme: Për shkak të shkeljeve ligjore, këto biseda janë shpallur si prova të papranueshme në kontekstin e ligjshmërisë.
Refuzimi i Gjykatës: Gjykata ka deklaruar prerazi se një provë e marrë në kundërshtim me ligjin “nuk mund të shërbejë si bazë në të provuarit e faktit vendimtar”.
Aktakuza bazohej në transkripte të përgjimeve telefonike të realizuara gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2021 si dhe janar 2022, si dhe në procesverbale të kontrollit dhe sekuestrimit të përkohshëm, ku janë gjetur telefona mobilë, grindera për bluarje të marihuanës dhe një cigare e dyshuar me përmbajtje narkotike.
Vlerësimi i gjykatës Gjykata ka konstatuar se një pjesë e provave materiale, përfshirë përgjimet telefonike, janë nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale, duke i shpallur ato si prova të papranueshme.
Në mungesë të provave të pranueshme dhe të mjaftueshme, gjykata ka vendosur që të pandehurit të lirohen nga akuzat
Çfarë u dëgjua në përgjime (por që nuk u llogarit)?
Në transkriptet që tashmë nuk kanë vlerë juridike, dëgjoheshin biseda për “taksa”, “shkuarje te Doni”, dhe takime te shkolla “8 Marsi”, të cilat prokuroria pretendonte se dëshmonin shitjen e marihuanës.
Por, për shkak të procedurës së gabuar të prokurorisë, Gjykata “nuk ia ka falur besimin” këtyre materialeve.
Prokurore në këtë rast ishte Sahide Gashi.