Në mungesë të të akuzuarit Gani Demaj, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Demaj së bashku me Jahja Llukën po akuzohen për korrupsion.
Në këtë rast, Jahja Lluka- në cilësinë e këshilltarit politik dhe Gani Demaj- në cilësinë e shefit të kabinetit të atëkohë kryeministrit Ramush Haradinaj, akuzohen se keqpërdorën detyrën zyrtare, me rastin e kryerjes së punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve si Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.
Gjykatësi i rastit, Gëzim Ademi bëri të ditur se i akuzuari Demaj ka njoftuar Gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë.
Dy të akuzuarit, në seancën fillestare më 30 qershor 2023, u deklaruan të pafajshëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 shtator 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj Jahja Llukës dhe Gani Demajt, të cilët i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, Jahja Lluka si person zyrtar, duke shfrytëzuar pozitën e këshilltarit politik të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat me rastin e angazhimit të drejtpërdrejtë të kompanisë “NTP Art Com” me pronar Hekuran Selimaj, për kryerjen e punëve të varrezave të dëshmorëve dhe heronjve: Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci, Hazir Malaj dhe Adem Demaçi, ku kompanisë së lartcekur i mundëson përfitimin në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim shkaktimin e dëmit në buxhetin e Qeverisë.
Krejt kjo, sipas aktakuzës, duke shpërfillur procedurat e prokurimit e duke ia mohuar të drejtën e konkurrimit kompanive të tjera, duke punuar pa projekt, pa menaxher të punimeve apo komision për vlerësimin e punëve të kryera në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik- pa procedura të tenderimit, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike- për kryerjen e pagesave, Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike, Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave- ku janë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë e këshilltarëve politikë, përkatësisht përcaktohet se atyre nuk u lejohet të ndëryjnë në funksione që janë të përcaktuara me ligjin për shërbimin civil. Me këtë rast, buxhetit të Republikës së Kosovës i shkakton dëm në vlerën prej 92 mijë e 827 euro e 61 centë.
Për këto veprime, Lluka ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kurse, në pikën dy të aktakuzës, Gani Demaj akuzohet se si person zyrtar- shef i kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim për t’i shkaktuar dëm Qeverisë, duke nënshkruar faturë të datës 30 korrik 2018 për punimet në varrin e Adem Demaçit, e cila faturë është ekzekutuar përmes përmbaruesit privat për heronjtë: Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci, Hazir Malaj, ku është punuar pa projekt, pa menaxher të projektit apo komision për vlerësimin e punimeve të kryera dhe pa raport për përcjelljen e punimeve.
Të gjitha këto, aktakuza thotë se u bënë në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik- pa procedura të tenderimit, Ligjin për Menaxhimin e Financve Publike- për kryerjen e pagesave, Rregullores për Shpenzimin e Parasë Publike, Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit- ku janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësit e këshilltarëve politikë. Kështu, buxheti i shtetit u dëmtua në vlerën prej 92 mijë e 827 euro e 61 centë.
Për këto veprime, Gani Demaj ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2 lidhur me nenin 81 të KPRK-së.