Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurti, ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së, ku kryesues do të jetë ministri Ejup Maqedonci, ndërsa bashkëkryesues Andin Hoti, shkruan Insajderi.
Gjatë propozimit të anëtarëve të këtij këshilli, Kurti ka përmendur me emër të gjithë anëtarët e emëruar, ndërsa ka lënë anash emrin e kryetarit të organizatës së veteranëve, Hysni Gucati, duke thënë vetëm “dhe një anëtar nga organizatat e dala nga lufta”.
Kjo lloj ftese është konsideruar ofenduese nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), të cilët e shohin këtë si skandaloze dhe si tentativë të kryeministrit për t’i lënë jashtë këtij organizimi dhe për të neutralizuar rolin e tyre.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka sqaruar për Insajderin se kjo mënyrë e “ftesës” ka qenë një “hile” e Qeverisë Kurti për t’i zvogëluar si organizatë.
Sipas Sylës, Kurti i ka ftuar të gjithë anëtarët me emër, ndërsa organizatat e dala nga lufta jo.
“Këshillin e parë që e ka propozuar nuk na ka përfshirë neve. Në këtë rast e ka përfshirë edhe Sami Lushtaku si kryetar komune. I ka cekur të gjithë emrat e atyre që janë propozuar, ndërsa tek ne e ka lënë të hapur ‘një përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta’. Nuk na ka përmendur me emër, si p.sh. Hysni Gucati, kryetar i organizatës. Në një farë forme na ka thënë: ‘Unë e bëra këtë këshill dhe dikush nga këshilli le të thërrasë dikë nga shoqatat e dala nga lufta’. Thirrjen e bëri të premten, ne e formuam këshillin tonë të shtunën, ndërsa të hënën ministria na dërgoi një email zyrtar. Ai nuk na ka vlerësuar që të jemi pjesë e atij këshilli dhe, së dyti, ftesa e ministrisë ka qenë katastrofë,” ka thënë Syla.
Sipas tij, kjo është një lëvizje e qëllimshme e kryeministrit Kurti, pasi që prej gjashtë vitesh nuk kanë pasur asnjë bashkëpunim me qeverinë e tij.
“Kurti po mundohet të na zëvendësojë, të na neutralizojë rolin tonë përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe përmes ministrisë që tash e ka krijuar,” ka shtuar ai.
Çfarë tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë
Në mbledhjen e Qeverisë u bë e ditur se kryesues i Këshillit do të jetë Ejup Maqedonci. Bashkëkryesues është Andin Hoti, ndërkaq anëtarë: Sami Lushtaku, Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Bashkim Jashari dhe Gazmend Hoxha.
Nga një përfaqësues do të ketë edhe nga OVL e UÇK-së, Zyra e Presidentes, Kuvendi, Zyra e Kryeministrit, si dhe Asociacioni i Komunave.
“Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes – kryesues; Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare – bashkëkryesues; Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt – anëtar; Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës – anëtare; Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – anëtar; Bashkim Jashari, komandant i FSK-së – anëtar; Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë – anëtar, si dhe një përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së,” citohet të ketë thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të premten./Gazeta Insajderi/