Pacientët e burgosur që po trajtohen në Institutin e Psikiatrisë Forenzike (IPFK) po përballen me kushte tejet të vështira. Një grup prej tyre kanë adresuar ankesa në adresë të Gazetës Insajderi, ku denoncojnë keqtrajtim e dhunë psikologjike, mungesë të ujit, energjisë elektrike, kushtet e rënda në dhoma dhe zhurmën e vazhdueshme nga punimet që po kryhen aty.
Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, Instituti është duke kryer punime për zgjerimin e kapaciteteve trajtuese për pacientët. Megjithatë, këto punime kanë shkaktuar shqetësim të madh te të burgosurit që ndodhen aty, të cilët i konsiderojnë këto kushte si “dhunë psikologjike”.
Në disa fotografi të dërguara nga vetë pacientët, shihen qartë dëshmitë e një gjendjeje të rëndë: shtretër të dëmtuar, mure të çara dhe mbetje të fasadës që mbulojnë dyshemenë.


Nga ky institucion kanë deklaruar për Insajderin se këto pamje janë pasojë e procesit të renovimit dhe zgjerimit që po ndodh brenda objektit.
“Fotografitë të cilave ju u referoheni i përkasin fazës fillestare të punimeve. E kuptojmë që pamje të tilla mund të krijojnë shqetësim për ata që nuk e njohin situatën reale, por siç e theksuam më lart, situata të tilla kanë qenë të pritshme. Janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme për sanimin e dëmtimeve teknike dhe për parandalimin e dëmtimeve të tjera. Dëmet e evidentuara janë riparuar brenda ditës”, ka thënë Arsim Gashi, ushtrues detyre i drejtorit të IPFK-së.
Sipas Gashit, zhurma dhe dëmet e shkaktuara janë paraparë paraprakisht nga ekspertët, por menaxhmenti ka kërkuar mirëkuptimin e pacientëve për shkak të rëndësisë së projektit.
“Paraprakisht, në bashkëpunim me ekspertët e projektit dhe menaxherët e kompanisë ndërtimore, janë realizuar takime me qëllim vlerësimin e kushteve për fillimin e punimeve. Gjatë këtyre takimeve, është analizuar edhe mundësia e paraqitjes së problemeve teknike dhe jo teknike, përfshirë zhurmën, si faktorë që mund të ndikojnë në mirëqenien e pacientëve psikiatrikë,” u shpreh ai.


