Insajderi
Op-Ed

Buxheti në peng – institucionet në pritje

Insajderi
27 February 2026 - 14:37
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Buxheti në peng – institucionet në pritje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkruan: Kenan Gashi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk e ka nënshkruar Ligjin për Buxhetin, pavarësisht situatës së ndjeshme politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi.

Kosova po kalon një periudhë me sfida të shumta, tensione politike të brendshme, përplasje mes pozitës dhe opozitës. Në një klimë të tillë, vonesa në dekretimin e buxhetit krijon pasiguri shtesë institucionale dhe ekonomike.

Pas shumë debateve, kundërshtimeve dhe presionit politik, buxheti u votua me vështirësi në Kuvend.
Megjithatë, tani lind pyetja thelbësore:

Cila është pengesa apo arsyeja e mosnënshkrimit?

A kemi të bëjmë me çështje procedurale, dilema kushtetuese apo me kalkulime politike?

Çfarëdo qoftë arsyeja, zvarritja e procesit ka pasoja konkrete në funksionimin e shtetit.

Organizatat buxhetore, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, janë duke u përballur me mungesë fondesh për mbulimin e obligimeve financiare, pagesat ndaj operatorëve ekonomikë dhe inicimi i procedurave të reja të prokurimit publik. Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në:

𝘃𝗼𝗻𝗲𝘀𝗲̈𝗻 𝗲 𝗽𝗿𝗼𝗷𝗲𝗸𝘁𝗲𝘃𝗲 𝗸𝗮𝗽𝗶𝘁𝗮𝗹𝗲;

𝗽𝗲𝘇𝘂𝗹𝗹𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗮𝗽𝗼 𝘀𝗵𝘁𝘆𝗿𝗷𝗲𝗻 𝗲 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺𝗲𝘃𝗲 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲;

𝘃𝗲̈𝘀𝗵𝘁𝗶𝗿𝗲̈𝘀𝗶 𝗻𝗲̈ 𝗼𝗳𝗿𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝘀𝗵𝗲̈𝗿𝗯𝗶𝗺𝗲𝘃𝗲 𝗽𝗲̈𝗿 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘁.

Çdo ditë vonesë në hyrjen në fuqi të buxhetit prodhon pasoja zinxhirore për administratën publike dhe për ekonominë në tërësi. Në mungesë të një buxheti funksional, institucionet detyrohen të operojnë me kufizime, duke vështirësuar planifikimin afatmesëm dhe realizimin e politikave zhvillimore.

Buxheti nuk është thjesht një dokument financiar, ai është themeli i funksionimit të shtetit, garantues i stabilitetit institucional dhe instrumenti kryesor për zhvillim ekonomik e social. Prandaj, në këtë moment të ndjeshëm për vendin, tejkalimi i ngërçeve politike dhe përmbushja e obligimeve kushtetuese duhet të jetë prioritet, në mënyrë që të shmangen dëmet e mëtejshme dhe të rikthehet normaliteti në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Autori është Drejtor Ekzekutiv i rrjetit të OJQ-ve, AVONET


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark