Procesi i rekrutimit për pozitën e Zyrtarit Ligjor në gjykata, i organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, po shoqërohet me dyshime për ndërhyrje nga jashtë. Insajderi posedon dëshmi, përfshirë fotografi, të cilat sugjerojnë se testi ka qarkulluar edhe jashtë sallës së provimit.
Testi me shkrim ishte mbajtur më 15.02.2026 nga ora 12:00. KGJK ka mohuar mundësinë e rrjedhjes së testit para mbajtjes së tij, duke sqaruar se përpilimi është bërë të njëjtën ditë, nga ora 07:45, në sallën kryesore të mbledhjeve të institucionit, nën masa të plota sigurie.
Sipas përgjigjes së KGJK-së për Insajderin, në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm pesë anëtarë të komisionit rekrutues dhe një zyrtare për përkthime.
Telefonat janë dorëzuar, pajisjet janë shkëputur nga interneti dhe testi është hartuar në një kompjuter të dedikuar për atë qëllim.
Një burim ka thënë për Insadjerin se pyetjet e testit kanë qarkulluar tek pjesëmarrësit, qoftë në formë fotografish apo të shkruara.
Megjithatë, KGJK pranon se nuk përjashtohet mundësia që ndonjë kandidat ta ketë fotografuar testin gjatë kohës së mbajtjes së tij.
“Bëhej fjalë për proces masiv të rekrutimit dhe mund të ndodhë që dikush nga kandidatët ta ketë fotografuar testin… nuk përjashtohet mundësia që disa prej tyre të mos kenë dorëzuar telefonat dhe të kenë bërë fotografimin e testit në sallë”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ndërkohë, në adresë të Insajderit ka mbërritur një ankesë, ku pretendohet se më 18.02.2026, pesë persona kanë hyrë sërish në provim në objektin e KGJK-së dhe se atyre u është dhënë i njëjti test i datës 15.02.2026.
Sipas ankuesve, pas datës 15 shkurt, pyetjet e testit kanë qarkulluar tek pjesëmarrësit, qoftë në formë fotografish apo të shkruara.
“Se më datë 18.02.2026 kanë hyrë në të njëjtin provim 5 persona në objektin e KGJK-së, të cilëve u është dhënë i njëjti test për Zyrtar Ligjor i datës 15.02.2026, dhe se pyetjet e testit pas datës 15 kanë qenë tek të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa kushdo që ka hyrë në test edhe një herë pas datës 15, pyetjet i ka poseduar qoftë në foto, qoftë të shkruara, dhe ne po ua dërgojmë juve të gjitha pyetjet që kanë qenë në testin e datës 15 më poshtë”, ka thënë burimi.
Insajderi posedon fotografi që, sipas burimeve, dëshmojnë momentin kur testi është fotografuar brenda sallës dhe është nxjerrë jashtë.