Kosovar Sopjani, i cili deri në janar të këtij viti mbajti pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës për Buxhet dhe Financa, ka qenë i sistemuar në pozita të ndryshme brenda një viti. Ai tashmë është zhvendosur në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit si zyrtar për kontabilitet dhe financa “për arsye personale”. Gazeta Insajderi në bazë të informaconeve që posedon, ka marrë vesh se i njëjti ka qenë anëtar në disa komisione vlerësuese, si për zgjedhje të stafit administrativ ashtu edhe për tenderë milonësh.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të Sopjanit, rektoratit e Sekretarit të Përgjithshëm të UP’së lidhur me këto “privilegje” të Sopjanit. Insajderi ka marrë përgjigje vetëm nga Safet Thaçi, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të UP’së.
I pyetur nga Gazeta Insajderi se, nëse mund ta konfirmojë që Sopjani brenda një viti është emëruar në pesë pozita të ndryshme pa konkurs, përfshirë edhe pozita të larta si drejtor personeli dhe drejtor i financave, Thaçi vetëm ka thënë se Sopjanin kur ka ardhur në pozitën e ZKA e ka gjetur si udhëheqës financash.
“Sa i përket kësaj pyetje nga periudha kur unë kam marr detyrën e ZKA-së, z. Sopjani ka qenë i caktuar si u.d. i Drejtorit të Zyrës për buxhet dhe financa. Dhe me kërkesë të tij i cili edhe zyrtarisht ka kërkuar përmes emalit të lirohet nga kjo pozitë, duke me njoftuar që nga fillimi i vitit 2026, nuk do të mbaj këtë pozitë për çështje personale. I njëjti sipas legjislacionit në fuqi është Sistemuar si zyrtar për kontabilitet dhe financa në Fakultetin e Inxhienerisë së Ndërtimit të UP-së“, thuhet në përgjigjen e Thaçit.
Po ashtu, Gazeta Insajderi është interesuar të dijë nëse Sopjani në njërën nga pozitat që është emëruar është vendosur në vend të një zyrtareje e cila ka qenë në pushim të lehonisë. Thaçi ka thënë se në bazë të legjislacionit në fuqi, Sopjani vetëm është angazhuar “me vëllim të shtuar”.
“Z. Sopjani nuk është emëruar në as një pozitë të ndonjë zyrtare të pushimit të lehonisë, vlen të theksohet se në mungesë të stafit administrativ, i njëjti është vetëm i angazhuar me vëllim të shtuar sipas legjislacionit në fuqi për dy , tre muaj deri në kthimin e pushimit të lehonisë“, thuhet në përgjigjen e tij.
Gazeta Insajderi po ashtu ka pranuar informacione se Sopjani ka qenë anëtar i komisioneve vlerësuese në shumicën e tenderëve milionësh. Sekretari i Përgjithshëm i UP’së ka thënë se gjatë kohës së mandatit të tij, s’ka qenë pjesë e ndonjë komisioni.
Thaçi ka mohuar edhe se Sopjani ishte pjesë e komisioneve për pranim të stafit administrativ gjatë vitit 2024, por vetëm ka thënë se “çështje është e rregulluar sipas Ligjit për zyrtar publik, që parasheh, tre drejtues të mesëm, një profesional dhe një nga zyrtarë e që njehë fushën”.
Gazeta Insajderi ka siguruar vendime të cilat dëshmojnë se Thaçi ka qenë pjesë e komisioneve për përzgjedhjen e personelit administrativ përgjatë vitit 2025. Gazeta Insajderi e ka pyetur edhe për këtë Sekretarin e Përgjithshëm, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje. /Insajderi.org/




