Antoine Griezmann lau një hesap Barcelonën. Ai mori hak sapo Atletico Madridi siguroi plasmanin në finalen e Kupës së Mbretit, duke i dërguar të njëjtin mesazh klubit katalunas që Barça i kishte dërguar përmes rrjeteve sociale pas një ndeshjeje Atletico-Barcelona sezonin e kaluar.
Në mars të vitit 2025, Barcelona postoi një foto në rrjetet sociale ku shfaqej Griezmann i shtrirë në fushë, ku në fokus ishin 11 lojtarët e Barçës në sfond duke fituar fistoren.
“Kjo foto është shumë e fortë”, shkroi Barcelona mbi postim. Mesazhi erdhi pas fitores 4-2 të Barcelonës në ‘Metropolitano’ në një ndeshje të La Ligas ku Atletico fillimisht kishte udhëhequr 2-0.

Dje, pasi Atletico Madridi siguroi fitoren për në finalen e Kupës së Mbretit pavarësisht humbjes 3-0 në Camp Nou, falë fitores së tyre 4-0 në ndeshjen e parë, Griezmann ia ktheu ‘borxhin’ ish-skuadrës së tij me të njëjtën shprehje.
Ai përdori një fotografi të tij duke festuar, ku në sfond shiheshin dy lojtarë të Barcelonës të shtrirë duke vajtuar eliminimin e tyre në vërshëllimën e fundit.
“A është kjo foto shumë e fortë?”, pyeti ai, duke e shoqëruar frazën me tre emoji që mbulonin gojën.

Atletico dhe Barcelona do të përballen me njëra-tjetrën pas një muaji, në fundjavën e 4 dhe 5 prillit, në La Liga.